Temperaturat e ulta dhe ngricat shkaktojne probleme ne disa qarqe te vendit

Temperaturat e ulta dhe ngricat vazhdojnë të mbajnë të izoluar disa nga qarqet e Shqipërisë. Situata me problematike paraqitet në veri të vendit, ndërkohë në jug akset kryesore janë të qarkullueshme me zinxhirë dhe raportohen vetëm komuna të bllokuara. Më të goditurat janë rrethi i Dibrës dhe rrethi i Bulqizës. Ndërmarja e Rrugëve Nacionale dhe kompanitë e kontraktuara kanë punuar me të gjitha mjetet borëpastruese që kanë në dispozicion, pa ndërprerje. Problematike situata ka qenë në zonën e Gollobordës pasi prej 4 ditësh mungon energjia elektrike, në 3 komuna, Ostren, Trebisht, Steblevë. Rikthimi i reshjeve të dëborës ka përkeqësuar situatën në rajonin e Kukësit, veçanërisht në Tropojë. Për pasojë të gjitha rrugët nacionale dhe rurale në këtë rreth janë të bllokuara, përfshirë edhe atë që lidh Bajram-Currin me Gjakovën. Shtabi i Emergjencës kryesuar nga prefekti i Kukësit, Elez Maçi janë zhvendosur në Tropojë për të parë nga afër situatën dhe për të marrë masat e nevojshme për përballimin e situatës. Edhe në Kukës janë paraqitur probleme veçanërisht në rrugët rurale dhe furnizimin me energji elektrike. Rruga e kombit është tërësisht e kalueshme, por në segmentin Fushë Dugagjin-Tuneli i Kalimashit, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve dhe 9 borëpatruese po monitorojnë situatën për të mbajtur nën kontroll këtë aks të rëndësishëm. Ndërkohë që rrugë dhe komuna të bllokuara janë raportuar edhe në rrethin e Librazhdit megjithëse ditën e sotme falë punës së ndërrmarrjes së rrugëve janë hapur të gjitha akset që lidhin qytetin me rrethet e tjera.