Temperaturat, mbi 2000 fëmijë në javë me gastrointerite
Temperaturat e larta po ndikojnë negativisht mbi shëndetin e fëmijëve. Kjo konstatohet sidomos tek fëmijët nën moshën 5 vjeç të cilët janë më të prekurit nga gastrointeritet (sëmundjet e zorrëve). Kështu u shprehen specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, sipas të cilëve në këtë periudhë raportohen mbi 2000 raste në javë me këto probleme. “Faktor risku janë temperaturat e larta, që favorizojnë rritjen e agjentëve infektivë në ushqime dhe mjedis shtëpiak. Shkaktarët përfshijnë rotaviruset (deri në 25 për qind të të gjitha rasteve me diarre), E. coli, shigela dhe më pak salmonela jotifoide, kampilobakter apo kriptosporidium”,- pohojnë specialistët e ISHP-së. Ndërkohë specialistët e këtij institucioni pohojnë se janë duke u dhënë këshilla mjekësore lidhur me ruajtjen e higjienës dhe parandalimin e gastroenteriteve, sidomos tek fëmijët, ndërsa lidhur me rrethet turistike u është kërkuar mjekëve dhe epidemiologëve të mbledhin informacion edhe për turistët dhe në përgjithësi është rritur vëmendja për zonat me popullatë shumë të dendur. Ndërkohë bëhet e ditur se informacioni mbi gastroenteritet, sigurohet nga survejanca sindromike ALERT, për të cilën ky ISHP përgatit një raport javor. Survejanca bazuar në sëmundjet është një raportim mujor i sëmundjeve infektive, bazuar edhe në të dhënat laboratorike.