Masa ligjore për ata që nuk pajisin blerësit me fatura
MASH kërcënon librashitësit
Ministria e Arsimit dhe Shkencave, u ka bërë të ditur librarive se në rast të shitjes së teksteve shkollore pa faturën përkatëse do të merren masa ligjore. Vendimi është marrë pas ankesave të herëpashershme të prindërve por edhe konstatimit të mediave të ndryshme, për librari që nuk shoqërojnë tekstet shkollore me faturën përkatëse. Në një prononcim të dhënë për shtyp, MASH nuk e ka mohuar faktin se në librari ka mungesë të titujve të teksteve. Deri më tani në treg janë hedhur 405 tituj tekstesh shkollore, ndërsa mungojnë 21 të tillë. “Asnjë radhë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë sivjet për të gjithë ata nxënës dhe prindër të cilët do të tërheqin tekstet mësimore në kohë. MASH i bën të njohur opinionit publik se këtë vit, katër javë përpara fillimit të vitit shkollor, 36 librari të Tiranës janë furnizuar me 405 tituj tekstesh nga 426 tituj që janë gjithsej nga 30 shtëpi botuese. Që nxënësit dhe prindërit të mos bredhin më nga njëra librari në tjetrën, sivjet çdo nxënës do t’i gjejë të gjitha tekstet e klasës së vet në librarinë pranë shkollës ku do të studiojë”. MASH u ka kërkuar prindërve dhe nxënësve, të marrin faturën tatimore nga shitësi për ato libra që blejnë, me çmimin e afishuar në kopertinë, në mënyrë që të përfitojë nga kompensimi prej 310 milionë lekësh, që qeveria ka vënë në dispozicion të nxënësve të shkollave publike e private të arsimit bazë. “Librashitësit që nuk do të lëshojnë fatura tatimore apo do të lëshojnë fatura të pasakta do të kenë pasoja ligjore”, ka përfunduar deklaratën Ministria e Arsimit.