Tenderët e BSH-së, me rregullore ndryshe nga qeveria dhe anormale
Tender i hapur – Nënkupton një procedurë prokurimi, në të cilën të gjithë kandidatët e interesuar mund të paraqesin ofertat e tyre pranë Bankës së Shqipërisë
Tender i kufizuar – Nënkupton një procedurë prokurimi, në të cilën vetëm kandidatët e ftuar nga Banka e Shqipërisë mund të paraqesin oferta në tenderin e shpallur
I drejtpërdrejtë - Nënkupton një procedurë prokurimi, në të cilën Banka e Shqipërisë hyn në marrëdhënie dhe kërkon një propozim (ofertë) vetëm nga një kandidat
Ambiente me qira pa tender? I ofronte vetëm 1 subjekt?!
Blerjet e ambienteve dhe marrja me qira e hapësirave për nevojat e Bankës së Shqipërisë, duke shmangur garën në tender, konsiderohet nga vet banka si rast emergjent. Rregullorja e prokurimit, miratuar nga BSH-së, nuk përputhet aspak me atë të qeverisë, sikurse edhe në pjesën e vlerave monetare. Për shuma të caktuara, kreu i Këshillit mbikëqyrës të bankës, që është vet guvernatori Ardian Fullani, ka vendosur disa limite se kur duhet bërë tender. Ndryshe nga institucionet e shtetit, BSH-ja, në emër të pavarësisë që i jep ligji, ka hartuar një rregullore për prokurimet që i jep mundësi të manovrojë sipas interesave të rastit.
Rregullore Nr 81 Per procedurat e prokurimit ne Banken e Shqiperise (PDF)
Ironikisht, në krye të dokumentit zyrtar, BSH-ja thotë se, Qëllimi për të cilin hartohet kjo rregullore është përdorimi efektiv i fondeve të Bankës së Shqipërisë për të siguruar mallra dhe shërbime cilësore, por që në fakt shpenzimet e deritanishme vetëm sa kanë rritur luksin e komoditetit të guvernatorit dhe të stafit të tij të ngushtë.
Më tej, në rregulloren se si duhen bërë tenderët në BSH përmenden disa parime, ku përmendet ai i barazisë, me synim trajtimin e barabartë dhe jo diskriminues të të gjithë kandidatëve pjesëmarrës në prokurim, dhe ai i sigurimit të pjesëmarrjes së kandidatëve në procedurat e prokurimit në Bankën e Shqipërisë.
Faktet tregojnë se, me anë të kësaj rregulloreje, BSH-ja ka kryer shpenzime të pakontrolluara, të një buxheti vjetor që arrin në rreth 50 milionë dollarë, të pajustifikuara dhe aspak transparente.
Mbi këtë dokument, BSH-ja bleu dhe mori me qira disa ambiente në kompleksin Halili në Rrugën e Dibrës, por duke shmangur garën e konkurrimit në tender. Vlera ishte 2.8 milionë euro, por guvernatori dhe anëtarët e Këshillit mbikëqyrës votuan pro rishikimit të vendimit, duke lejuar shpenzime disa milionësh pa tender.
Po çfarë thotë udhëzimi i bankës lidhur me shpenzimet pa tender, kur duhen kryer ato, në cilat raste? Prokurohet nëpërmjet Prokurimit të drejtpërdrejtë kur në mungesë të konkurrencës, për arsye teknike, mallrat, ndërtimet ose shërbimet sigurohen vetëm nga një kandidat ose kur një kontraktues ka të drejtën ekskluzive për mallrat, për ndërtimet ose për shërbimet. Pra, me këtë argument banka thotë se ambiente të lira për ti dhënë me qira i ofronte vetëm një subjekt privat në të gjithë Tiranën dhe se BSH-ja nuk kishte mundësi se çfarë të zgjidhte, për këtë shkak tenderi ishte i kotë të realizohej. Vendimet tregojnë se BSH-ja ka blerë edhe ambiente, sërish pa tender, sikur Tirana të mos kishte hapësira të lira, në një anë që Shoqata e ndërtuesve deklaron se janë pa shitur në të gjithë kryeqytetin 8 mijë apartamente. Pra, hapësira të lira kishte plot, por BSH-ja vendis të zgjidhte pa garë vetëm një subjekt. Me vlerë 2.8 milionë euro, plus të tjera shërbime.
Në gusht të vitit 2008, Guvernatori Fullani nënshkroi një vendim që i jepte të drejtën të blinte e të merrte me qira ambiente për Bankën. Procedura u krye me prokurim të drejtpërdrejtë, vetëm me një kompani nominale, pa garë, me afat prokurimi deri në një vit. Objekti ishte blerje për 5 milionë dollarë të 1900 metrave katrorë dhe marrjen me qira për 1 milion dollarë të 1800 metrave katror, po në të njëjtën godinë. Me çmimin e ofruar, në zonën e Selvisë, pranë Rrugës së Dibrës, BSH-ja e ka blerë metrin katror për rreth 2500 euro, më shumë se në zonën më të shtrenjtë të ish-bllokut.
Kufijtë
Prokurohet nëpërmjet Tenderit të hapur kur vlefta e fondit limit është mbi kufirin monetar të përcaktuar si më poshtë:
Për ndërtimet 15.000.000 lekë
Për mallrat – 9.000.000 lekë
Për shërbimet – 3.000.000 lekë
Prokurohet nëpërmjet Tenderit të kufizuar kur:
a-mallrat, ndërtimet ose shërbimet janë të disponueshme vetëm nga një numër i kufizuar kandidatësh dhe vlefta e fondit limit është brenda kufirit monetar të përcaktuar si më poshtë:
Për ndërtimet 15.000.000 lekë
Për mallrat – 9.000.000 lekë
Për shërbimet – 3.000.000 lekë
Shitja - Në maj të vitit 2010, qeveria shqiptare, me anë të Bankës së Shqipërisë, kryejnë operacionin më të madh, shitjen e ish-hotelit
Blerja - Banka e Shqipërisë pranon të blejë ish-hotel Dajtin për afro 40 milionë dollarë, me argumentin se po investon në ambiente të reja
Qëllimi - Ministria e Financave e justifikoi shitjen e hotelit te BSH-ja, si manovër normale ligjore të derdhjes paraprakisht të fitimit nga banka
Tenderët e BSH-së, me rregullore ndryshe nga qeveria dhe anormale burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip