Tenderët e Berishës
Kemi ligje, por nuk i zbatojmë. Kemi projekte, por nuk i realizojmë. Sepse ndryshe nuk mund të fitojë batakçiu. Ja, p.sh., prej dje kemi një projekt të ri, sërish të financuar nga qeveria amerikane, si ai për regjistrimin online të bizneseve. Bëhet fjalë për projektin që tenderët të zhvillohen në mënyrë elektronike. Projekti u vlerësua nga kryeministri Sali Berisha dhe ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Withers, të cilët thanë se nisma synon të rrisë transparencën dhe të ulë kostot e administratës publike. Sistemi i prokurimit publik përfshin të gjithë njoftimet për tenderë në Shqipëri. Dokumentet dhe njoftimet e tenderit do të njoftohen në adresën e internetit dhe do të shkarkohen pa pagesë nga bizneset e interesuara, të cilët mund t'i dorëzojnë ofertat e tyre për tenderët nëpërmjet internetit. Shumë bukur! Po si dorëzohen ofertat në duart e qeveritarëve dhe kush vendos për fituesit? Batakçinjtë, patjetër. Siç ndodhi në tenderin e fundit të kartave të identitetit dhe të pasaportave biometrike, të udhëhequr nga zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Pone. E pati denoncuar me gojën e vet Michael Hodgson, përfaqësues i kompanisë belge "Oberthur", pjesëmarrëse në tender. "Kompania belge "Zeta", i solli dokumentet pas afatit që ishte vendosur nga Ministria e Brendshme, me 8 apo 10 minuta me vonesë, ndërsa firma fituese e tenderit SAGEM nuk kishte specifikë teknike për "ID cards", nuk kishte as certifikatën ISO që kërkohej në procedurat e tenderit". Të përjashtuarit nga tenderi i dyshimtë, dhanë me dhjetëra fakte se grupi SAGEM, një firmë teknologjike me qendër në Paris, është karakterizuar nga një aktivitet korruptiv i përmasave ndërkombëtare, në konkurrencën për të fituar tenderë të rëndësishëm, sidomos për prodhimin e kartave të identitetit. Por qeveria shqiptare e ka mbyllur këtë dosje, pavarësisht se flitet për korrupsion dhe trumbeton projektet online.