E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderi i ANP-së, pajton Kermabon dhe Thaçin

Drejtuesi të Organizatës Joqeveritare “Çohu” kanë vlerësuar se dhënia me koncesion e Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës është përcjell me parregullsi të mëdha, ndërkaq kanë shtuar se marrëdhëniet në mes të Qeverisë së Kosovës dhe EULEX-it, siç duket i ka përmirësuar pikërisht falja e ANP-së, një konzorciumi francezo-turk.

Avni Zogiani, drejtues i Organizatës Joqeveritare “Çohu”, ka thënë të martën se mos bërja publike e ofertave në lidhje me koncesionimin e ANP-së, lë vend të dyshohet se ky proces është përcjell me parregullsi të shumta. Sipas tij kjo mënyrë e dhënies me koncesion, e bënë procesin lehtë të manipulueshëm.

“Kontratat në lidhje me koncesionin e aeroportit, ose ofertat në lidhje me këtë janë mbajtur të fshehta, duke qenë se është bërë një shfaqje disa javë më herët, në të cilën është thënë se janë hapur ofertat, porse përmbajtja e ofertave nuk i është bërë e ditur publikut. Do me thënë është mbajtur fshehtë oferta, në mënyrë që pastaj të përzgjidhet ai që eventualisht është premtuar që do të jetë fitues, ne mendojmë kështu. Ne dyshojmë, kështu duke qenë se nuk shohim arsye tjetër, pse të mos hapen ofertat”, ka thënë Zogiani, transmeton Kosovapress.

Zogiani ka vlerësuar se marrëdhëniet në mes të Qeverisë se Kosovës dhe EULEX-it, siç duket i ka përmirësuar pikërisht falja e ANP-së një konzorciumi francezo-turk, pasi vetëm pak ditë pas shpalljes së fituesit të koncesionit, kryeministri Thaçi është takuar me shefin e EULEX-it, Yves de Kermabon prej nga kanë dhënë deklarata për tejkalim të problemeve në marrëdhëniet mes tyre.

“Vetëm vitin e kaluar ANP ka pasur rreth 15 milionë euro fitime dhe kjo bënë praktikisht që investimet që janë fituar të mbulohen për një periudhë vjetore prej 3 vjetësh, nëse është 45 milionë. Për 3 vjet koncesionuesi me paratë që do t’i marrë nga biznesi i aeroportit, do të mund të realizon investimet e premtuara, në ndërkohë që 17 vjet do të punojë aeroporti pa asnjë investim të koncesionerit. Me një fjalë, koncesionuesi e merr falë aeroportin, koncesionuesi e merr fitimin prej aeroportit, në ndërkohë që ne do të marrim 40 ose 50 për qind të asaj që deklaron koncesionuesi”, vlerëson ai.

Ai ka theksuar se korrupsioni siç duket po iu shërben ndërkombëtareve të pranishëm në Kosovë, që të përfitojnë në kapjen e aseteve publike.

Zogiani ka pohuar se drejtuesit e institucioneve të Kosovës po e blejnë mos ndëshkueshmërisë ndaj tyre duke dhënë pasurinë publike.

“Vetëm dy ditë pas nënshkrimit të kontratës për aeroportin, ku fitues është një prej pjesëtarëve të konsorciumit një kompani franceze, ne kemi pasur takimin shumë interesant në mes të Kermabos dhe liderit Hashim Thaçi. Nuk kemi se si të mos e lidhim këtë takim, i cili vjen në momentin kur praktikisht marrëdhëniet në mes të tyre janë ashpërsuar shumë, përveç se një blerje e mos ndëshkueshmërisë nëpërmjet kontratave të tilla, të cilat janë dhënë nga ana e Qeverisë”, ka shtuar ai.

Fundjavën që shkoi Qeveria e Kosovës shpalli fitues të koncesionit të ANP-së për njëzet vite një konzorciumin francezo-turk “Limak Aeroports de Lyon Consortium”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›