Konkursi “Principe Giorgio Castriota Skanderbeg” ndan çmimet për arbëreshët
Ditën e Shtunë, datë 18 Prill 2009, në qytetin e Kierit, pranë
Torinos, në Itali, u zhvillua ceremonia e dhënies së çmimeve letrare në kuadër të edicionit të 9-të të konkursit “Principe Giorgio Castriota Skanderbeg”. Konkursi letrar, emri i të cilit i dedikohet heroit tonë kombëta organizohej nga shoqata “Vatra Arbëreshe” e Kierit. Çmimet ju jepen krijimeve të reja më të mira letrare në gjuhën Arbërishte, si edhe krijimeve më të mira të nxënësve me origjinë arbëreshë, të cilët studjojnë në shkollat italiane. Siç do të shprehej presidenti i shoqatës “Vatra arbëreshe”, Vinçenco Cuçi, qëllimi i konkursit është pikërisht ruajtja dhe lëvrimi i mëtejshëm i gjuhës arbërishte ndër brezat e rinj të diasporës së hershme shqiptare në Itali. Duke filluar nga ky edicion, një seksion i posaçëm i konkursit u rezervohet edhe krijimeve të reja poetike të shkruara në shqipen letrare. Në bashkëpunim me Federatën e Shoqatave Italo-Shqiptare dhe Arbëreshe të Piemontit, të përfaqësuar në ceremoni nga zv. presidenti i saj, Benko Gjata, këtë herë juria e konkursit vlerësoi me çmim edhe krijime poetike të autorëve shqiptarë. Juria e konkursit kryesohej nga prof. Italo Fortino, titullar i katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe pranë Universitetit të Napolit. Antarë të saj ishin edhe Visar Zhiti, Atashe Kulturor pranë Ambasadës së Shqipërisë në Itali, Eduard Sopi, kryetar i shoqatës “Nënë Tereza”, të Astit, Anunciata Deli Santi, eksperte e gjuhësisë pranë Sportelit Gjuhësor të Rajonit të Bazilikatës si edhe poeti arbëresh Tomazo Kampera, përgjegjës i Departamentit të Kulturës pranë shoqatës “Vatra Arbëreshe”. Fitues të edicionit të nëntë të konkursit, në seksionin e krijimeve në Arbërisht, u shpallën kantautori Françesko Skaravaljone nga Pavia, si dhe nxënësja Katia Forte, në seksionin e autorëve të rinj. Në seksionin e dedikuar shqipes letrare, për poezinë më të mirë të pabotuar, fituese u shpall shkrimtarja dhe studiuesja vlonjate Vilhelme Vranari, ndërsa çmimi i posaçëm i jurisë për kontributin e dhënë në lëvrimin e letrave shqipe ju dha autores dhe përkthyeses Valbona Jakova.
21 Prill 2009