Presidenti dekoron 37 intelektualët e Tiranës, të vrarë nga komunistëtNga TemaPresidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi me Urdhrin “Nderi i Kombit” 37 intelektualët e Tiranës, të vrarë nga diktatura komuniste 28 tetor-16 nëntor 1944. Ky nderimi i
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Presidenti dekoron 37 intelektualët e Tiranës, të vrarë nga komunistëtNga TemaPresidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi me Urdhrin “Nderi i Kombit” 37 intelektualët e Tiranës, të vrarë nga diktatura komuniste 28 tetor-16 nëntor 1944. Ky nderimi i lartë nga kryetari i shtetit përkon me 65-vjetorin e masakrës së terrorit komunist në Tiranë, i cili i mori jetën e këtyre personave mendjendritur e të pafajshëm.
Me këtë rast në Presidencë u organizua një ceremoni solemne. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve përkatëse nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit, Aleksandër Flloko, kryetari i shtetit u dorëzoi Urdhrin dhe dekretin e dekorimit familjarëve të intelektualëve të nderuar: Akil Sakiqi, Nazmi Uruçi, Fahri Dabulla, Muntaz Kokalari, Vesim Kokalari, Ismail Petrela, Muharrem Lleshi, Muharrem Liku, Abdulla Saraçi, Jorgji Mema, Nebil Çika, Hamid Greblleshi, Subi Topulli, Kapllan Deliallisi, Jakup Deliallisi, Shefqet Deliallisi, Anton Fekeçi, Isuf Allamani, Boris Belevski, Minella Toçi, Selim Kelmendi, Selaudin Korça, Lluka Xhumari, Ali Panariti, Rakip Kalenja, Hasan Dine, Azis Blloshmi, Faik Shkupi, Mehmet Dada, Rifat Tërshana, Aleks Mavraqi, Selman Shtjefni, Petraq Pekmezi, Ndue Pali, Syrja Kokalari, Bajram Cuka, Lorenc Rasha.
Ky vlerësim u bë në shenjë respekti dhe përuljeje për grupin e intelektualëve të vrarë nga terrori komunist nga 28 tetori deri më 16 nëntor 1944 me motivacionin: “Të martirizuar nga terrori komunist për shkak të besimit në idetë demokratike perëndimore të zhvillimit të Shqipërisë pas Luftës së II Botërore”.
Zoti Bahri Liku, i ati i të cilit ka qenë një nga viktimat, shprehu mirënjohjen ndaj kreut të shtetit shqiptar për nderin e lartë duke theksuar: “Në emër të familjarëve përshëndesim Presidentin e Republikës për këtë vlerësim kaq të madh që po u bëhet prindërve tanë. Njëkohësisht falënderojmë shoqatën me Adem Allçin, Besim Ndregjonin dhe drejtorin e Qendrës së Rehabilitimit të Viktimave të Torturave, zotin Kati, që na ka dhënë ndihmesën për këtë punë. Edhe një herë shumë faleminderit, zoti president”.
Kujtimi i të rënëve duhet të na bashkojë
Nga Orhan Sakiqi*
tema.al
17.11.2007
Ne zakonisht përkujtimoren tonë e bëjmë më 16 Nëntor. Këtë radhë, nën përkujdesjen e Shoqatës Mbarëkombëtare të të Dënuarve Politikë vendosëm ta bëjmë më 17 Nëntor. Këtë për t’iu treguar “fitimtarëve” që ne jemi të barabartë me ta dhe moralisht më lart se ta.
Këtu ka një ndryshim themelor. Në këtë përkujtimore ata kanë gjithmonë shtetin në mbështetje; i çdo krahu të politikës qoftë ai që nga 1992 deri më sot. Ata e përkujtojnë 17 Nëntorin me flamurë e dekorata për 63 vjet. Ne vetëm për 15 vjet. Më parë, 16 Nëntorin e përkujtonim fshehurazi në shtëpitë e njëri-tjetrit. Por e përkujtonim, pa ditur ku ta vendosnim qiriun. Të afërmit tanë nuk kishin varr. Tani, së paku, falë demokracisë, kemi këtu këtë vend të shenjtë. Kemi këtë përmendore. Ky është varri i përbashkët i të gjithë martirëve. Këtu do të vendosim qirinjtë e shpirtit të tyre, këtu do të përkujtojmë me thjeshtësinë dhe krenarinë tonë të fisit. Pa iu lutur njeriu. Deputetë dhe ministra shkojnë në përkujtimoren e tyre. Për ne kujtohen të njëjtët persona që gjithsesi ne i falënderojmë për pjesëmarrjen.
Sot, në bazë të dokumenteve të shkruara të arkivave, është vërtetuar se masakra e Tiranës nga 28 Tetori deri më 16 Nëntor 1944 është kryer me urdhër direkt të Enver Hoxhës dhe zbatuar nga krerët e tjerë komunistë si Kristo Themelko me shokë. Këto janë të shkruara në librin Politika antikombëtare e Enver Hoxhës - Plenumi i 2 i KQ të PKSH, botuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, si dhe shumë shkrime e kujtime nga autorë të ndryshëm, ku mund të veçohet libri i Uran Butkës: “Lufta civile në Shqipëri, 1943-1945”.
Diskutimet aty të Gogo Nushit, Kristo Themelkos etj., tregojnë qartë çfarë thashë më sipër.
Gogo Nushi: “Me hyrjen e forcave tona në Tiranë janë vrarë 60 veta. Unë i njoh këta dhe asnjëri prej tyre nuk meritonte të vritej.”
Themelko: “Kur unë kam biseduar me Enverin, ai më ka urdhëruar që, kur të hynim në qytet, t’i spastronim elementët e “rrezikshëm”. Listat janë hartuar diku jashtë Tiranës.”
Këtë e vërteton vetë diktatori në kujtimet e tij të më vonshme, “Vitet e rinisë” etj., ku shumicën e listës i përmend me emër.
Të pushkatuarit e Tiranës ishin nga gjithë Shqipëria, që nga Kosova deri në Çamëri. Mësues, gazetarë, botues, oficerë të karrierës, sipërmarrës të suksesshëm. Asnjeri me veprimtari armiqësore. Përkundrazi, nacionalistë dhe shqiptarë të pastër. Veçori e tyre: Ata nuk e donin komunizmin. Kultura dhe vlerat e tyre nuk e lejonin. Këtë ata e kishin deklaruar dhe për këtë e pësuan me dënimin kapital.
Sot, në këtë ditë përkujtimore, nuk mund të lë pa përmendur dallimin që bëhet në ligjin e ri ndërmjet të pushkatuarve para dhe pas 29 nëntorit 1944. Logjikisht, të parët ishin më të rrezikshëm, sepse nuk pritën sa t’i dënonin me “gjyq”. Ne nuk mund të presim të kemi në përkrahje bijtë e ministrave apo gjeneralëve të komunizmit si Klosët apo Gjinushët. Por ne prisnim më shumë nga deputetët demokratë. Ishim ne ata që përkrahëm fuqimisht lëvizjen demokratike që në vitin 1990. Njeri prej nesh, Skënder Kalenja, u vra pabesisht në shtator 1998. Emri i të atit është në këtë pllakë përkujtimore këtu pranë nesh. Ai quhet Rakip Kalenja.
Çështja jonë është e drejtë moralisht, sepse ne kemi një status të dhënë nga shteti më 1993. Si mund të shkelet ky status? Ligjërisht, ndarja para dhe pas 29 nëntorit nuk duhet të ndodhte. Neni 44 i Kushtetutës thotë: “Kushdo ka të drejtë të rehabilitohet ose të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi apo mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore.” Në Vendimet e Kongresit të Përmetit, më 27 maj 1944, Komiteti Nacionalçlirimtar u kthye në Qeveri të Përkohshme. Pra, organi shtetëror ka qenë dhe urdhrat i ka dhënë ai, siç vërtetova më sipër.
Duke qenë fisnikë dhe tolerantë, ne i propozojmë organeve kompetente që mos të ketë 16 apo 17 nëntor. Të festohet në një ditë të përbashkët siç është në shumë vende demokratike: Dita e të rënëve në luftë. Ne e dimë se kjo nuk do të pranohet nga ana e tyre, siç nuk pranojnë asgjë të kryer nga nacionalistët. Por është detyrë e jona njerëzore dhe bashkuese ta propozojmë këtë.
Ne gjithashtu i bëjmë apel Presidentit të Republikës të shikojë me kujdes dekretimin e ligjit në përfshirjen e klasës tonë. Unë personalisht kam qenë ai që si i deleguar i PD e kam prezantuar atë për deputet në zonën e Bastarit të Tiranës në vitin 1996. Unë e kam mbështetur gjithashtu për kryetar bashkie të Tiranës në vitin 2000. Këtë e kam bërë, sepse besoja në ndershmërinë e tij. Siç besoj edhe sot.
Ju ftoj të ndezim qirinjtë që shpirti i tyre të prehet në paqe.
*Fjala e zotit Sakiqi e mbajtur me rastin e 16 nëntorit, dita e të vrarëve pa gjyq, në Tiranë, 1944