Tendoset situata në Haiti

Tendosjet kanë filluar të shtohen në Haiti, me banorët e dëshpëruar të cilët po presin ndihmat ndërkombëtare, katër ditë pas tërmetit katastrofal që goditi këtë vend, si pasojë e të cilit sipas vlerësimeve të autoriteteve vendase kanë humbur jetën deri në 200 mijë njerëz.
Qeveria e Haitit ja dorëzoi SHBA-së kontrollin mbi aeroportin e vet kryesor, me qëllim që të rregullojë qarkullimin e ndihmave nga të gjitha anët e botës.
Kamionët e mbushur me kufoma dërguan viktimat në varrezat masive, të hapura jashtë kryeqytetit Port Au Prince, por me mijëra kufoma besohet se gjenden ende nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.
“Deri me tani kemi grumbulluar mbi 50 mijë kufoma. Vlerësojmë se do të kemi prej 100 deri në 200 mijë të vdekur, edhe pse nuk do ta zbulojmë kurrë numrin e saktë të viktimave”, deklaroi Ministri i Brendshëm i Haitit, Paul Bien Aime.
Sekretari shtetëror për siguri publike, Aramick Louis, theksoi se autoritetet deri me tani kanë varrosur mbi 40 mijë kufoma nëpër varreza masive.
Ministri për Shëndetësi, Alex Larsen, theksoi se tri e katërta e Port Au Princit duhet të rindërtohet në tërësi.
Një zyrtar i OKB-së theksoi se uria do të nxitë trazira, nëse ndihmat në Haiti nuk shkojnë me shpejtësi, por shtoi se për momentin, situata e sigurisë është ende nën kontroll.
“Ka pasur ca incidenti, kur njerëzit janë grindur mes vete për ushqim. Ata janë të dëshpëruar. Ka tri ditë që janë pa ushqim dhe pa asistencë”, deklaroi nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për operacione paqeruajtëse, Alai Le Roy.