Franca më afër vendimit për ndalimin e perçes
Mashkulli me të cilin është martuar është francez, katër fëmijët e saj kanë lindur në Francë, ndërsa ajo e flet gjuhën franceze me aksent arab. Faiza Silmi pranon se veshja e saj-perçja-ka qenë një nga arsyet se pse asaj i është mohuar nënshtetësia franceze.
Kjo 32 vjeçare nga Maroko së shpejti mund të përballet me një goditje edhe më të rëndë. Një ligjvënës francez ka dorëzuar këtë javë projekt-ligjin, me të cilin do të ndalohet kjo veshje myslimane në vendet publike, masë kjo e cila do të ishte një precedent në Europë.
Për dallim nga shamia, femrat të veshura me perçe janë një dukuri e rrallë në Francë, ku vlerësohet se jetojnë rreth 5 milionë myslimanë, komuniteti ky më i madh në Europën Perëndimore. Udhëheqësit myslimanë në Francë kanë theksuar se islami nuk kërkon nga femrat që të veshin perçe.
Derën për ndalimin e mundshëm të perçes e hapi presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, në qershor të vitit të kaluar, me ç’rast theksoi se perçja nuk është e mirëseardhur në Francë.
Të martën, deputeti konservator, Jean Francoise Cope dorëzoi projekt-ligjin për ndalimin e perçes. “Askush në vendet publike nuk duhet të dal me veshje, të cilat mbulojnë edhe fytyrën”, thuhet në projekt-ligj.
Në dokument përmenden brengat për sigurinë publike, me qëllim që parandalohen sfidat nga ana e atyre, të cilët theksojnë se ky ligj cenon rregullat kushtetuese dhe liritë individuale.