Tension dhe përplasje në protestën për Parkun e Liqenit. Lubonja: Jemi në fazën e degjenerimit total
(E PERDITESUAR)- Një grup ambientalistësh dhe pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar gjatë ditës së sotme për shkatërrimin e Parkut të Liqenit Artificial nga ana e Bashkisë së Tiranës. Ata kanë bërë thirrje që punimet për shkatërrimin e Parkut të ndalen menjëherë, pasi nuk është miratuar asnjë plan nga bashkia.
Por protesta e tyre ka degjeneruar në konfrontim fizik, raporton Vizion Plus. Protestuesit bashkë me një grup deputetësh të Partisë Socialiste kanë tentuar të bllokojnë punën për zgjerimin e rrugës se Elbasanit duke debatuar ashpër me punëtorët e firmës.
Në emër të Forumit të Trashëgimisë, Artan Lame, kërkoi ndërprerjen e aksionit dhe paraqitjen e projektit të miratuar nga bashkia.
Kërkojmë të paraqitet projekti i miratuar nga bashkia. Kërkojmë ndërprerjen e aksionit të paligjshëm, tha Lame.
Ndërsa Fatos Lubonja tha se, jetojmë në një qytet të pabanueshëm. Po humbasim mundësinë për të reaguar. Jemi në fazën e degjenerimit total.
Po na humbet dimensioni social, aftësia për të reaguar. Më konsiderojnë pesimist në këto që them. Pasolini thoshte se pesimizmi i madh na vjen nga optimizmi i madh. Dhe ne kemi pasur shumë ëndrra. Por po arrijmë në degjenerim social. Kemi vetëm individë që shohin interesat e tyre dhe shtetin po e privatizojnë si ndërmarrje private për interesat e tyre. Ndërkohë që është shteti që duhet të punojë për interesat tona. A e ndryshojmë dot gjendjen? Më duket shumë vështirë, si një tunel. Kam frikë se drita do të na dalë bashkë me tymin dhe tmerrin e shembjes së tunelit. Nuk po jemi të zotë të nxjerrim në dritë vendin. Por gjithsesi le të ecim përpara, vijoi Lubonja.
Hektarë të tërë me pemë janë prerë në Parkun E Liqenit Artificial, ndërsa bashkia është justifikuar me arsyen se është duke zgjeruar rrugën.
