Teuta Hoxha: Nuk është mbyllur hetimi për ditaret e Enver Hoxhës. Blendi Fevziu i shfaq, ne na thonë janë zhdukur
Teuta Hoxha, bashkëshortja e Ilir Hoxhës, djalit të Enver Hoxhës, në një rrëfim të gjatë për Shekulli, sqaron çështjen e ditareve personale të Enver Hoxhës.
Familja e Hoxhës është drejtuar në prokurori që të hetojë për publikimin e këtyre materialeve, por edhe për faktin se ku ndodhen këto ditare.
Hoxha sqaron se janë plot 130 blloqe me kujtime, refleksione, shënime të Enver Hoxhës, që datojnë nga viti 1955 deri në vitin 1984, të cilat janë dorëzuar në Arkivën e KQ të PPSH në shkurt të vitit 1986 nga Nexhmije Hoxha. Normalisht kjo arkivë ka kaluar në administrimin e Arkivit të Shtetit. Por këta të fundit thonë se nuk ka asnjë inventar që të tregojë se ku ndodhen këto dokumente. Për këtë arsye, Teuta Hoxha thotë se prokuroria po heton për të zbuluar se ku janë këto ditare. Situata bëhet edhe më e çuditshme pasi Blendi Fevziu i ka publikuar ato, por nuk thuhet se ku janë marrë.
Teuta Hoxha sqaron për Shekullin se hetimi nuk është mbyllur siç pretendojnë disa media. Ajo thotë madje se ky pretendim është i qëllimshëm. Teuta thotë se prokuroria për më tepër nuk ka marrë akoma dëshminë e Nexhmije Hoxhës, një personazh kyç në këtë çështje.