E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Berisha, kryeministër provizor, shqiptarët kanë votuar për largimin e tij”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar se Partia Socialiste i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Rama ka theksuar se populli shqiptar i ka dhënë një mbështetje spektakolare Partisë Socialiste, mbështetje e cila do të largojë kryeministrin Sali Berisha nga drejtimi i vendit. Sipas kryesocialistit Edi Rama, populli shqiptar e ka shprehur vullnetin e tij dhe tashmë pritet që ky vullnet të konfirmohet pas numërimit të kutive të votimit. Por Rama e akuzoi kryeministrin Berisha se po përpiqet që të bllokojë këtë proces, duke dërguar edhe njerëz me pushtet për të manipuluar procesin. Rama tha se kryeministri Berisha është vetëm një kryeministër provizor në detyrë dhe për këtë ka si detyrim ligjor që të garantojë procesin zgjedhor. Kreu i PS-së foli gjithashtu edhe për qarkun e Beratit. Sipas tij, në këtë qark, Partia Socialiste i ka fituar 5 mandate, të cilat gjenden në kutitë e votimit. “Qarku i Beratit për ne ka 5 mandate dhe ne do ta kërkojmë këtë mandat deri në fund, në rrugë ligjore, pasi votat për të pesta mandatet e Partisë Socialiste janë në kutitë e votimit dhe ne nuk do të lejojmë që mandati i pestë i qarkut të Beratit të merret dhe të kalojë në krahun tjetër, ndërkohë që është një mandat i dhënë nga populli i Beratit për Partinë Socialiste”, - vijoi Rama. I pyetur nëse Partia Socialiste do t’i njihte zgjedhjet apo jo, kreu i PS-së tha se nuk është kjo çështja që po diskuton Partia Socialiste, por mbrojtja e votave. Rama tha se Partia Socialiste ka kontestime për procesin, kontestime të cilat do t’i ndjekë në rrugë ligjore.

2 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›