Një pistë patinazhi dhe aktivitete kulturore për festat e fundvitit
Bashkia e qytetit të Korçës ka marrë përsipër që çdo ditë e muajit dhjetor të jetë një ditë feste, duke çelur në këtë mënyrë programin e festave të fundvitit. Risi këtë vit do të jetë një pistë patinazhi që po bëhet gati në sheshin kryesor të qytetit, përballë Katedrales, e cila pritet të favorizohet edhe nga temperaturat e ulëta që kanë prekur qytetin. Festimet në Korçë kanë nisur në mbrëmje me ndezjen e dritave zbukuruese në të gjitha bulevardet dhe sheshet e qytetit, si dhe me vendosjen e bredhit të Vitit të Ri. Këtë vit, krahas panairit tradicional dhe shtëpizave të vogla prej druri, ku do të ekspozohen produkte të ndryshme të rajonit të Korçës dhe të artizanatit, synohet që qyteti të bëhet më tërheqës edhe përmes argëtimit me koncerte dhe aktivitete të tjera kulturore dhe artistike. Nuk do të mungojnë ekspozitat e ndryshme të artit figurativ, koncertet për fëmijë dhe takimi i fëmijëve me babagjyshin, teatrot e kukullave etj.
J.Dhimitri
J.Dhimitri