Zbulohet një mbishkrimi i vjetër grek dhe një skulpturë guri
Zbulohet në fshatin Ruzhdie të Rrethit të Fierit një mbishkrim shumë i vjetër dhe një skulpturë guri, që i shtohen fondit të objekteve arkeologjike të zbuluara në këtë qark. Një grup punëtorësh, të cilët ishin duke gërmuar për të marrë zhavorr për shtrimin e një segmenti rrugor në fshatin Ruzhdie, në komunën me të njëjtin emër, ndeshi me tri pllaka të lëmuara shumë të hershme, me mbishkrime greke, në vendin e quajtur "Ullinjtë e radhës". Gjithashtu është nxjerrë e padëmtuar një skulpturë guri, që paraqet portretin e një mashkulli. "Objektet janë të përmasave 50 me 80 centimetra", tha kryetari i komunës, Pajtim Gllava. Sipas tij, zona ku u gjetën objektet ndodhet shumë pranë kalasë së Margëlliçit, e njohur për vlerat e saj arkeologjike. "Vendndodhja e gjetjeve të reja arkeologjike shtrihet në territorin e fshatit Ruzhdie, në kufijtë ndarës me Bashkinë e Patosit, rreth 1 km larg kalasë së Margëlliçit", tha Gllava, duke shtuar se punimet për rrugën u ndërprenë menjëherë dhe u lajmëruan drejtuesit e prefekturës, qarkut dhe policia e Fierit, për të marrë në ruajtje vendin ku u zbuluan këto objekte të vjetra. Gjithashtu ai bën të ditur se janë lajmëruar specialistët e arkeologjisë dhe pritet që Agjencia Kombëtare e Arkeologjisë të nisë ekspertët për të marrë në dorëzim objektet dhe zonën ku u gjetën këto objekte me vlerë. Zona e Margëlliçit dhe Ruzhdies kanë qenë në qendër të vëmendjes se arkeologëve që pas vitit 1985, ku janë kryer punime, sidomos në kodrën e Margëlliçit.