E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tension ne ndeshjen Skenderbeu-Flamurtari

Vazhdojnë tensionet në ndeshjet që luhen ndërmjet Skënderbeut dhe Flamurtarit. Edhe sfida e Kupës së Shqipërisë e luajtur në Pogradec, është mbyllur mes polemikave, në një shfaqje surreale.
Shkak është bërë episodi i minutës së 77-të, kur asistenti Çokaj u godit nga tribuna, duke pësuar çarje në kokë. Në fakt, objektivi i sendeve të forta ishte portieri i Flamurtarit, Spaho, i cili po kontestonte golin e dytë të Skënderbeut me kapitenin Bledi Shkëmbi, për një pozicion të diskutueshëm jashtë loje.
Goditja e gjyqtarit anësor u shoqërua me një ndërprerje 15 minutëshe të takimit, koha e mjaftueshme që “xheketa e zezë” të merrte ndihmën e parë në fushë. Pas nxjerrjes jashtë të tifozëve nga tribuna karshi, loja ka rinisur me gjyqtarin kryesor Migen Masha që ka vendosur se nuk ekzistonin ekstremet për të ndërprerë takimin.
Ashtu si e parashikon edhe një pikë e rregullores, në rastin e dëmtimit të njërit prej gjyqtarëve, kryesori dhe zyrtarët e FSHF-së të pranishëm në stadium vendosën që Çokaj të zëvendësohej nga gjyqtari i katërt Taullai.
Por, ky vendim ka lënë të pakënaqur drejtuesit e klubit vlonjat, të cilët kërkonin pezullimin e ndeshjes. Trajneri Shkëlqim Muça i ka dhënë urdhër lojtarëve që thjesht të qëndronin në fushë, duke lejuar Skënderbeun që të shënonte dy gola me portën bosh, me Muzakën dhe Plakun.
Në fund, supersfida ndërmjet Skënderbeut dhe Flamurtarit u mbyll me shifrat 4-1 për korçarët, duke vulosur përfundimin e një tjetër sfide me polemika, por mbi të gjitha të çuditshme.
Ajo për të cilën të vjen vërtetë keq është fakti se për më shumë se një orë u luajt ndeshje e vërtetë, me korçarët që ishin dukshëm superiorë në lojë, pavërësisht se Flamurtari kaloi në avantazh në të 2-ën me një goditje dënimi të ezekutuar në mënyrë perfekte nga Franc Veliu.
Në të 64-ën korçarët barazuan me një goditje fluturimthi të Shkëmbit, që nuk i la shpëtim portierit Spaho. Ndërsa më pas, me pësimin e golin të dytë, në të 76-ën, që i dha Skënderbeut avantazhin, futbolli përfundoi përpara kohe dhe i la radhën sërish polemikave.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›