Bayern insiston për Shaqirin

Bayern Munich duket se e ka marrë seriozisht transferimin e Xherdan Shaqirit në Allianz Arena. Gjiganti gjerman qysh tani po planifikon që gjatë verës ta blejë mesfushorin e talentuar me prejardhje nga Gjilani.
Tabloidi gjerman Bild të hënën shkruante se në listën e mysafirëve për ditëlindjen e 60-të të Uli Hoeness, emri i Xherdan Shaqirit nuk figuronte . Por, megjithëkëtë u fol për 20 vjeçarin.
Sipas këtij tabloidi, presidenti i Bayernit në ahengun e organizuar e ka pyetur ish trajnerin e Baselit, tani të Hamburgut, Thorsten Fink, për ‘xhuxhin magjik’.
“Është logjike që Fink pati vetëm gjëra pozitive për të thënë për Shaqirin, pasi ishte vetë ai që e angazhoi 20 vjeçarin në radhët e profesionistëve te skuadra e Baselit”, shkruan Blick.
Por, nuk janë vetëm këshillat e Finkut që e kanë nxehur gjigantin gjerman. Qysh në verën e viti të kaluar, Hoeness kishte folur me shefin e Baselit, Bernhard Heusle, derisa skauti i Bayernit e ka përcjellë disa herë në St. Jakob Park kosovarin.
Pas refuzimit të Marco Reusit, i cili në verë do të shkojë në Dortmund, drejtuesit e klubit bavarez janë duke kërkuar një lojtar të ngjashëm. E zëvendësim adekuat për të është Shaqiri.
Ndërsa, sipas informatave të Blick, emri i Shaqirit është shumë lart në listën e Bayernit. Madje flitet se qysh tani janë caktuar terminët për të negociuar për transferimin e tij gjatë verës në Bundesligë. Natyrisht se këtë askush nuk dëshiron ta konfirmojë zyrtarisht, po kjo do të ndodhë.
Gjatë afatit kalimtar të janarit, kampioni i Zvicrës dhe Xherdan Shaqiri kishin refuzuar dy oferta konkrete të klubit turk Galatasarayt dhe atij rus Zenit St. Petersburg, të cilat kishin ofruar para të majme për ta transferuar reprezentuesin zviceran.
Edhe pse ka marrë oferta nga klube të ndryshme evropiane, Xherdan Shaqiri ka vendosur t’i mbetet besnik kampionit të Zvicrës, Baselit, të paktën deri në verë. Këtë e ka konfirmuar për Express ditë më parë edhe vëllai dhe menaxheri i mesfushorit kosovar, Erdin Shaqiri.
Ndërkohë, mediet e ndryshme evropiane gjatë këtyre ditëve kanë shkruar se gjilanasi pëlqehet nga klube të njohura si Manchester United, Liverpool, Hamburg, Juventus, Inter, Milan, Roma, Dinamo Kiev e të tjera.
Megjithëkëtë, deri në përfundimin e afatit kalimtar të janarit kanë mbetur edhe disa orë, kështu që gjithçka mund të ndodhë. Por, sipas Blick, kalimi i Shaqirit te Bayern Munich gjatë verës duket si mundësi më reale.