E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tension te Holanda para sfidës me Brazilin

Së fundi është shndërruar në problem çështja “Van Persi”. Sulmuesi i Arsenalit nuk e kapërdiu zëvendësimin me Huntelarin në ndeshjen me Sllovakinë kur holandezët kryesonin 1-0. Lojtari e shprehu pakënaqësinë edhe para kamerave, megjithëse tekniku Van Marvijk u mundua ta qetësojë. Sipas Van Persit, zëvendësimi iu këshillua trajnerit nga Shnajderi dhe në momentin që ky i fundit shënoi golin e dytë, futbollisti i Arsenalit nuk festoi, duke qëndruar i palëvizur në stol.

Në fund të ndeshjes Van Marvijk mblodhi skuadrën për të sqaruar situatën, por Shnaderi dhe Van Persi nuk kanë folur asnjë fjalë me njëri-tjetrin. Kjo nuk është atmosfera më e mirë e mundshme për të përgatitur një ndeshje delikate si ajo kundër Brazilit. Të premten në orën 16:00 Holanda do të përballet me “Selesaon” në “Nelson Mandela Bay Stadium” të Port Elizabetit, për të diskutuar një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Botës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›