E Enjte, 5 Nëntor 2026

Tensione në Komisionin Hetimor në shëndetësi, Vokshi debate me Ndrecën

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Mbledhja e Komisionit Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi, ka vijuar sot sërish me tensione.

Fillimisht Komisioni nisi punimet nën drejtimin e nënkryetarit Plarent Ndreca ku në rend të ditës ishte seancë dëgjimore me dëshmitarët, Gentian Opre, Arjana Dyrmishi, Mimoza Dhëmbi, Niko Lera, Irena Beqiraj për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen me çështjen, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.

Por mbledhja ka vijuar me tensione pasi ka qenë kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi, e cila ka hyrë në komision pasi më parë deputetët e opozitës kishin deklaruar bojkotimin e komisioneve parlamentare.

Vokshi kërkoi që të nxirrte dëshmitarin Gentian Opre dhe të hapte mbledhjen nga e para pasi e konsideroi në shkelje të rregullores hapjen e komisionit nga Ndreca.

Mes dy deputetëve janë shkëmbyer replika në lidhje me zbatimin e rregullores dhe vijimin e mbledhjes.

Ndreca kundërshtoi duke u shprehur se mbledhja është hapur njëherë dhe dëshmitari duhet të vijonte dëshminë e tij.

Një ditë më parë, komisioni hetimor për Shëndetësinë u përfshi po ashtu nga debate të ashpra.

Nga ana e opozitës në komision ishte i pranishëm vetëm deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili pasi pjesa tjetër janë të përjashtuar nga Kuvendi, për shkak të akteve të dhunës në seancë plenare.

Tensione në Komisionin Hetimor për Shëndetësinë, foto: Florian Abazaj 1 nga 10

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›