E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tensioni djeg elektro-shtëpiaket

Energjia

Rreth 1500 banorë të qytetit të Fierit kanë më tepër se gjashtë muaj që po vuajnë defektin e shkaktuar nga rryma e tensionit të lartë që përshkon banesat e tyre. Banorët ankohen se kanë shkuar disa herë për të kërkuar riparimin e defektit pranë filialit të OSSH-së, por nuk kanë gjetur zgjidhje. Rryma e tensionit të lartë në një bllok pallatesh të lagjes “Apolonia” të Fierit është shndërruar në një tmerr të vërtetë për komunitetin. Sipas banorëve, rryma e lartë ka shkaktuar djegien e dhjetëra pajisjeve elektro-shtëpiake, duke u shkaktuar kosto të rëndë financiare. Banorët që vuajnë furnizimin me tension të lartë shprehen se kanë shkuar disa herë pranë Drejtorisë së Shërbimit të Energjisë pranë filialit të OSSH-së së Fierit, por, megjithatë, edhe pse është vërtetuar ekzistenca e këtij defekti, asgjë nuk ka ndryshuar. “Ne si banorë të këtij blloku pallatesh, këtu kemi pasur shqetësim lidhur me rrymën elektrike, e cila është mbi parametrat e duhur. Nga matjet që janë bërë shpeshherë nga grupi i gatshëm i elektrikut del së tensioni që shkon nëpër banesat e kësaj lagjeje është 247 volt rreth orës 10:00-12:00 të paradites, ndërsa në mbrëmje ai shkon mbi 260 volt. “Na janë djegur mbi 10 herë pajisjet elektro-shtëpiake. Nuk kemi rrugëzgjidhje tjetër vetëm të kërkojmë ndërrimin e shtëpive”, ka thënë Bukure çela, banore e zonës. Nga ana tjetër, burimet e OSSH-së pranojnë problemin disamujor të banorëve dhe shprehen se defekti shkaktohet nga transformatori. “Ai nuk është në gjendje teknike dhe për pasojë ka bërë që tensioni të jetë i luhatshëm. Sigurimi i një tjetër transformatori do të zgjidhë situatën”, pohuan për “Shqip” burime pranë OSSH-së së Fierit dhe konkretisht pranë drejtorisë së shërbimeve.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›