E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnjë, banorët protestë për vjedhjen e fondeve të rrugës

Banorët, të mbështetur nga drejtuesit e bashkisë, bllokojnë autostradën për më shumë se 30 minuta

Komuniteti i lagjes “Karbunarë” në qytetin e Lushnjës ka dalë në protestë paraditen e së shtunës për t’i kërkuar qeverisë fondet e vonuara lidhur me rrugën kryesore të zonës së tyre. Banorët protestues deklarojnë se fondet e rrugës janë vjedhur nga qeveria dhe janë devijuar për në Shkodër, ku sipas tyre, vetë qeveria shkaktoi përmbytje të njëpasnjëshme. Më shumë se 200 banorë të lagjes periferike “Karbunarë” janë mbledhur në protestë, e cila është zhvilluar në hyrjen jugore të qytetit, në fillim të autostradës Lushnjë-Fier. Ata kanë bllokuar lëvizjen në autostradë për më tepër se 30 minuta. Qëllimi i protestës ka qenë zhbllokimi i fondeve nga ana e qeverisë për ndërtimin e segmentit rrugor nga hyrja e qytetit në vendin e quajtur Plasmas deri në lagjen lindore “Karbunarë”. “Protesta e sotme është e disata që zhvillohet nga banorët e lagjes sonë. Në Karbunarë është parashikuar një projekt për ndërtimin e rrugës nga Plasmasi deri në dalje të fshatit dhe fondet janë siguruar nga Banka Botërore. Kjo protestë bëhet për t’i thënë qeverisë se nuk duhet të luajë me lushnjarët”, kanë thënë protestuesit. Protesta e banorëve të “Karbunarës” është mbështetur edhe nga drejtuesit vendorë të bashkisë, si dhe nga kryetari i Bashkisë së qytetit të Lushnjës, Albert Sanxhaku, i cili ka thënë se jo vetëm këtë fond, por edhe shumë projekte të tjera që ishin mbështetur më parë nga qeveria rrezikojnë të mos vihen në zbatim. Sanxhaku e ka cilësuar protestën si të një natyre sociale dhe se për zgjidhjen e saj duhet ndërhyrja e dy palëve politike, si e deputetëve të majtë ashtu dhe atyre të djathtë. “Shumë fonde që qeveria i kishte programuar për Bashkinë e Lushnjës, janë zhvendosur në pjesën veriore të vendit, në Shkodër dhe në zonat e përmbytura. Ne sot kemi dalë të protestojmë, duke bllokuar rrugën për disa minuta, por jo për të bllokuar institucionet, jo për të bllokuar shtetin”, ka thënë kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Albert Sanxhaku.

Mësohet se Bashkia e Lushnjës ka plotësuar kriteret dhe kushtet që kërkonte kredia për fillimin e investimit dhe në bazë të përgjigjeve zyrtare, pas korrespondencave të njëpasnjëshme institucionale, që qeveria ka dërguar drejt Bashkisë së Lushnjës. Por mësohet se ka qenë vetë qeveria ajo që e ka shkëputur këtë fond dhe po e kalon drejt zonave të përmbytura në veri të vendit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›