E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhoma e Tregtisë, kundër rritjes së akcizave

Dhoma e tregtisë është shprehur dje kundër rritjes së akcizave pasi biznesi ndodhet në vështirësi. Thanas Poçi, drejtor i shërbimit të biznesit në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë thotë se nuk është koha e duhur për të bërë rritje taksash. Sipas tij biznesi ndodhet në vështirësi

dhe çdo masë që synon të rrisë kostot nuk është e dobishme. Ai ka denoncuar edhe synimin e qeverisë për të zgjeruar listën e produkteve që do paguajnë akcizë. Drafti i financave është në fazën e diskutimit me ministrinë e ekonomisë dhe atë të mjedisit dhe më pas pritet të kalojë për miratim në komisionin parlamentar të ekonomisë. Ndryshimet e propozuara së fundmi nga Ministria e Financave në ligjit "Për akcizat" i japin të drejtë kësaj të fundit që bëjë të detyrueshme vendosjen në pullën e akcizës edhe të çmimit i lejueshëm për shitjen e produktit me pakicë. Drafti i cili parashikon shtimin e një serë produktesh të tjera në listën e mallrave me akcizë është duke u konsultuar me Këshillin Konsultativ të Biznesit ndërsa më pas pritet të miratohet në mbledhje qeverie. Referuar ndryshimeve të propozuara për sa i përket përcaktimit të çmimit të shitjes me pakicë të mallrave në pullën e akcizës parashikohet të veprohet njëlloj si me ilaçet të cilat i kanë të ngjitura në ambalazh. Ndjekja e një praktike të tillë pritet të ndikojë tek shitësit me pakicë të cilët të paktën sipas rregullave do të jenë të detyruar që të mos shesin asnjë mall më shtrenjtë se çmimi i përcaktuar në pullën e akcizës. Po ashtu, fiksimi i çmimeve me pakicë do të rrisë edhe kontrollin e importuesve të mëdhenj ndaj shitësve me pakicë. Ndryshimet që së shpejti pritet të miratohen në mbledhje qeverie nuk parashikojnë sanksione ndaj atyre që nuk do të zbatojnë këtë rregull. Ato pritet të parashikohen në dispozitat nënligjore që pritet të nxjerrë Ministria e Financave në një periudhë të mëpasshme pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në të cilën do të përcaktojë edhe mënyrën e zbatimit. Në kushtet kur kriza në mbledhjen e të ardhurave është e dukshme, pasi treguesit fiskal për tre muajt e parë të vitit rezultojnë me mosrealizim, qeveria ka planifikuar se si të rrisë paratë në arkën e shtetit.

Last Updated on E Shtune, 01 Maj 2010 19:36

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›