Më prit veç pak
Ekziston një lidhje e ndërsjellë midis frymës së induktuar tek studentët e universiteteve sot, dhe frymës së injektuar tek klasat sociale, politike dhe ekonomike në të ardhmen. Për pasojë, mendësia e reflektuar në brezin e sotëm universitar do të jetë edhe mendësia e atyre që do të vënë në lëvizje ingranazhet e zhvillimit të së nesërmes. Qartësisht, kur shqetësohemi për nivelin e sotëm të shkollimit nëpër universitetet shqiptare, duhet të shqetësohemi edhe për fatin e Shqipërisë të pas 10 apo 15 viteve.
Mund të shtrohen e vërtetohen argumente të pafundmë mbi këtë marrëdhënie simbiotike të arsimit dhe shtetit, mirëpo zgjedh të shkruaj konkretisht; shqetësimet që më lindin teksa jam përditë e më shumë dëshmitar i anomalive që ndodhin përpara syve tanë, përherë e më shpesh, frikësohem se në ndërgjegjen shoqërore po konsiderohen të zakonshme, të parëndësishme…në thelb, normale!
Po nis nga tre konstatime mbi probleme të derivuara nga keqvlerësimi, keqmenaxhimi dhe mosdëshira për ti dhënë arsimit shqiptar dinjitet, kryesisht gjatë dekadës së fundit, ku dominon tetëvjeçari i qeverisë Berisha.
Si fillim, argumenti më gjerësisht i komentuar, një brez i tërë të diplomuarish, por të papunë. Krijimi i një sistemi arsimor te masivizuar tashme, ku prodhohen vetëm diploma e nuk shoqërohen me vende pune, ska sesi të jetë një fakt rastësor. Ai lidhet plotësisht me një politikë të gabuar të të konceptuarit të arsimit të lartë. Le ti mbushim universitetet, të prodhojmë qindra intelektualë që do të kenë nesër në duar frerët e shtetit (vështirë se besohet)… shkoqur, do mbushin zyrat e administratës së kalbur.-kështu paraqitet thelbi mbi të cilin janë ngritur politikat arsimore në këto tetë vjet.
Fillimisht me marrjen e drejtimit të qeverisë, kryeministri Berisha, në vitin 2005 realizoi atë që kishte premtuar, masivizimin apo shtimin e kuotave të universiteteve me qëllim de juro që çdo shqiptar të mos privohej nga e drejta për tu arsimuar (kërkesë tejet legjitime në parim). Lind pyetja: A u shqetësua ndonjë prej hartuesve të politikave mbi arsimin e lartë mbi raportet e të diplomuarve në tregun e nesërm të punës?, thënë ndryshe: A u mendua se çfarë ineficence do të prodhohej me katapultimin e mijëra juristëve, ekonomistëve, e të tjera degë masive nga njëra anë, përballë obskurantizmit total të shifrave të studentëve në profesione të tjera? A u vu njeri para përgjegjësisë së vet profesionale ndërsa këto anomali po kthehen në gangrenë të shoqërisë së pas 8 viteve?… Vështirë ta besoj!
Por le të shohim e analizojmë shifra. Masivizimi i universiteteve që financon shteti nuk duket të reflektohet në rritjen e financimit për të. Nga ana tjetër, qeveria e sotme ka premtuar rritje të buxhetit të arsimit sa 7 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto, mirëpo, jo vetëm që kjo nuk ka ndodhur por buxheti është ulur, nga 3.5% të PBB që ishte disa vite më parë në 2.8%. Qartazi duket se qëllimi i rritjes së numrit të studentëve në universitetet shqiptare, i nisur para 8 vjetëve, nuk ishte që të formonte individët me aftësi për tu përballur me sfidat e së nesërmes. Qartazi, qëllimi i fshehur pas trumbetimit të kësaj politike bujare mbi të rinjtë, sishte thjesht mekanizëm për të prodhuar vota që do mbajnë gjallë pushtetin dhe establishmentin politiko-ekonomik të kryeministrit dhe ministrave kukull të tij.
8 vjet kaluan, një brez i tërë të diplomuarish por të papunë dhe larg kërkesave të atyre pak institucioneve private që gjenerojnë vende pune, e ka kuptuar se rrallë ka marrë një profesion për të qenë konkurrues në treg. Ky brez ka kuptuar se ka në dorë njëletër me vrimë , jo nga ato me bono thesari fshehur në interesa, por me një vrimë të zezë kohe të humbur, energjish të harxhuara dhe parash të shpenzuara. Kurioz jam të di se sa nga ministrat e kësaj qeverie kanë lejuar që fëmijët e tyre të arsimohen në Shqipëri. Por kurioziteti nuk zgjat shumë, buzëqesh hidhur e thjesht e heq nga mendja këtë pyetje që as retorike nuk quhet.
Administrimi i keq i arsimit të lartë në Shqipëri nga kjo qeveri në 8 vjet duket se do lërë shenja gjatë në të ardhmen ekonomike të vendit, pasi mungojnë burimet njerëzore të kualifikuara dhe të interesuara për të investuar kapital kohor, energjetik e monetar për krijimin e karrierës në këtë vend. Një nga ankesat më të mëdha të kompanive të huaja që vinë në Shqipëri për të investuar është se mungojnë burimet njerëzore të kualifikuara, e ky nuk është fakt nga i cili qeveria në pushtet mund të qëndrojë e papërlyer.
Një vizion i ri duhet në arsim, një vizion që do të motivojë të gjithë sistemin e administrimit të universiteteve e ku buxheti do jepet në varësi të rezultateve shkencore dhe akademike që arrihen, si dhe suksesit të studentëve të tij në tregun e punës. Skema e financimit të universiteteve sduhet thjesht të mbajë gjallë sallat e ftohta e shkallaret e ndotura të universiteteve, por duhet të kthehet në katalizator të zhvillimeve reale. Vetëm kështu, vetëm duke u trajtuar denjësisht, një universitet kthehet në enzimë të vrullit që duhet ti paraprijë progresit të mbarë shtetit.
Problemi i dytë, jo pak i përfolur, lidhet me shtimin e universiteteve private të pakontrolluara, me idenë se tregu kthehet në rregullator universal të gjithçkaje. Qeveria e djathtë e Berishës krijoi kushtet që të licencoheshin një numër i konsiderueshëm universitetesh private, ku gjithashtu në parim nuk shprehem dot kundër.
Por realiteti qëndron larg parimit; shumë nga këto universitete janë demaskuar jo thjesht në tavolina, por edhe publikisht, e duket të jenë kthyer në printuese diplomash. Rasti i bërë mediatik i studentit italian e vërteton qartë dhe pastër çka citova më sipër (fama jonë ka kaluar dhe Adriatikun, imagjino çndodh brenda kufijve).
Pse qeveria i lejon këto shtrembërime të shëmtuara? Ndodhin nën hundët e të gjithëve ne, janë lehtësisht të kapshme, lehtësisht të dënueshme..Svlen nënqeshja dhe këtë herë, përgjigja është e qartë; nëse jo, po shtroj një argument përgjigje-dhënës.
Ka gjasa që nëse ti aplikon për pune në një kompani private dhe nuk ke kualifikimin e nevojshëm nuk punësohesh. Për pasojë, administrata shtetërore mbetet punëdhënësi kryesor i të diplomuarve që nuk frekuentojnë asnjë ditë universitetin ku janë diplomuar. Nëse jo, përse atëherë dikush harxhon me mijëra euro për tu pajisur me një dokument me të cilin askush nuk të punëson?
Një universitet nuk mund të kthehet në fabrikën e biznesmenit të radhës që financon gjatë fushatave elektorale partinë që qeveris, me qëllimin e larjes së borxhit në të thatë- fabrikë diplomash të ligjëruara për të siguruar paratë e fushatës së radhës.
Universitetet jopublike duhet të përmbajnë në thelb i
