E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tensioni ne veri KFOR shton perforcimet

Të shtëna armësh janë dëgjuar në veri të Mitrovicës gjatë orëve të paradites duke bërë që forcat e sigurisë menjëherë të shtojnë prezencën mbi urën kryesore mbi lumen Ibër, ndërkohë që vërehen disa automjete KFOR-it, të cilat kanë kaluar në pjesën veriore nga ana e Suhadollit. E ndërsa mungojnë detajet në lidhje me incidentin, policia e Kosovës bën të ditur se nata në veri ka kaluar e qetë.

Në të gjitha rrugët që çojnë nga veriu në drejtim të Serbisë, serbët kanë vendosur barrikada, duke e bërë të pamundur që anëtarë të EULEX-it, KFOR-it dhe policë e doganierë shqiptarë të lëvizin në këtë drejtim. Barrikadat gjatë natës janë përforcuar nga ana e serbëve duke shkarkuar sërish zhavorr nëpër rrugë. 

Strukturat paralele kanë vendosur një mur prej betoni prej 25 tonësh në vendin Rudare afër Zveçanit, duke paralizuar kështu totalisht qarkullimin e automjeteve në drejtim të pikës kufitare në Jarinje. Ndërkohë, shumë tanke të KFOR-it janë vendosur mbi urën mbi lumin Ibër. Shumë serbë kanë qëndruar gjatë natës nëpër barrikada në afërsi të pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak, përkatësisht në Rudare dhe Zupç, ndërsa kanë vëzhguar edhe urat mbi lumin Ibër dhe të gjitha rrugët tjera të cilat çojnë në drejtim të veriut.

Në veri ndodhen edhe kryenegociatori serb, Borko Stefanoviq dhe ministri për Kosovën pranë qeverisë së Serbisë, Goran Bogdanoviq. Autoritetet e rendit në veri të Kosovës thonë se “plani i zhbllokimit të rrugëve nuk do të jetë një plan i Policisë së Kosovës. Në këtë situatë do të veprohet bashkërisht me EULEX-in dhe KRFOR-in, por aktualisht prioritet është qetësia”.
Azhornuar së fundi ( e shtunë , 17 shtator 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›