E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tensionohen marrëdhëniet Suedi-Turqi nga rezoluta armene


Ndërkohë që ende nuk janë sheshuar mosmarrëveshjet me Uashingtonin në lidhje me çështjen armene, një tjetër front diplomatik hapet për Ankaranë.
Objektivi këtë herë është Suedia. I gjithë debati ka nisur pas miratimit të parlamentit suedez të mërkurën të rezolutës me 134 vota pro dhe me 130 kundër , e cila e cilëson genocid masakrën e armenëve nga forcat otomane në vitet 1915-1917, gjatë Luftës së I Botërore.
Rezoluta u miratua megjithë kundërshtimin e fortë të qeverisë suedeze. Partia në pushtet ka kërkuar mosmiratim të rezolutës, por 4 deputetë, përfaqësues të maxhorancës të cilët e mbështetën atë, vendosën fatin e saj.
"Jam tepër i shqetësuar nga pasojat që mund të priten pas këtij vendimi. Kam marrë një raport nga Turqia ku opozita kërkon që normailzimi i kontakteve mes Armenisë dhe Turqisë të ndalojë. Mendoj se ky politizim i historisë e bën më të vështirë pajtimin mes dy vendeve", tha në një telefonatë Ministri i Jashtëm suedez Carl Bildt.
Menjëherë pas miratimit të rezolutës Turqia ka vendosur ngrirjen e përkohshme të marrëdhënieve me Suedinë, si dhe ka tërhequr ambasadorin e saj prej Stokholmit.
Gjithashtu, në shenjë proteste u anullua edhe vizita e kryeministrit turk Recep Taip Erdogan në vendin nordik, vizitë kjo që ishte parashikuar të bëhej me 17 mars.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›