Tentativë spiunazhi ndaj Obamës

Një tentativë spiunazhi e dështuar ndaj Presidentit të zgjedhur amerikan Barak Obama është zbuluar së fundmi. Operatori telefonik në SHBA Verizon Wireless ka bërë të ditur se disa vartës të tij kanë pasur akses të paautorizuar në një telefon celular në pronësi të Obamës, celular që tashmë nuk është më aktiv. Një bashkëpunëtor i presidentit të ri amerikan ka deklaruar se mesazhet zanore dhe e-mailet e Obamës nuk janë dëgjuar dhe lexuar. Ndërkohë që Barak Obama i ka telefonuar presidentit të Komisionit Europian Hoze Manuel Barroso për të diskutuar mbi sfidat e ardhshme që presin SHBA-në dhe BE-në, duke nisur nga ndryshimet klimatike. Në vazhdën e bisedës Obama e Barroso kanë shprehur vullnetin e përbashkët dhe dëshirën për të bashkëpunuar ngushtësisht. Obama e ka ftuar Barroson për një vizitë në Uashington, ndërkohë që edhe ky i fundit i ka bërë një ftesë të tillë presidentit të ri amerikan. Ndërkohë që disi me shaka e disi jo, vazhdojnë kërcënimet për jetën e presidentit të zgjedhur amerikan Barak Obama. I fundit ka ardhur nga qyteza prej rreth 9 mijë banorësh e Meinit në SHBA, ku në një dyqan është ekspozuar një tabelë ku publikohet një bast 1 dollarësh për datën e vrasjes së Obamës. Titulli i lojës-bast është "Loto për qëllimin me armë të Obamës" dhe shoqërohet me shkrimin "Shpresojmë që ndonjëri të fitojë". Këshilli bashkiak i qytetit, edhe pse nuk e përkrah këtë iniciativë, me shijë të keqë, sipas tyre, ka mbrojtur të drejtën e mendimit dhe shprehjes së lirë të të ashtuquajturve 'bastëxhinj'. Ndërkohë që në një tjetër qytezë në Idaho, disa fëmijë në një autobus shkolle këndonin në kor një këngë të titulluar 'Vrisni Obamën'. Ky gjest ka shkaktuar një irritim të njerëzve në SHBA, kur është mësuar se ata që këndonin ishin fëmijë të klasës së dytë e të tretë fillore dhe që një gjë të tillë e kanë bërë më datë 5 nëntor, pikërisht të nesërmen e fitores së Obamës. Qyteza prej 17 mijë banorësh e Reksburgut, në shtetin e Idahos, në të cilën Mekein ka fituar 85 përqind të votave më 4 nëntor, konsiderohet si më republikanja në SHBA.