E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Hetim për konfliktin Rusi-Gjeorgji

Bashkimi Europian po përgatitet të fillojë misionin hetimor për shkaqet e konfliktit të gushtit mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, për të cilin ka folur që nga fillimi i shtatorit, mbi bazën e ankesave në rritje ndaj Gjeorgjisë për rolin e luajtur në fillimin e luftës. Ky mision hetimor do të drejtohet nga Heidi Taliavini, përfaqësuese e posaçme e OKB-së në Gjeorgji nga viti 2002 deri në vitin 2006. Lajmi është mësuar nga një dokument i përgatitur nga ekspertët e BE-së. Një diplomat europian bëri të ditur se ky dokument pritet të miratohet javën e ardhshme nga ambasadorë të Bashkimit Europian, në pritje të vleftësimit në nivel ministrash, i parashikuar më datë 1 dhjetor. Dokumenti thekson se Taliavini do t'i zgjedhë vetë bashkëpunëtorët, të cilët duhet të jenë ekspertë të njohur, juristë, historianë, ushtarakë dhe ekspertë të të drejtave të njeriut. Objektivi zyrtar i misionit do të jetë hetimi për shkaqet dhe për zhvillimin e konfliktit në Gjeorgji. "Shtrirja gjeografike dhe kohore e tij do të jetë mjaft e gjerë për të përcaktuar të gjitha shkaqet e mundshme", thuhet në dokument. Misioni do të vazhdojë punën për tetë muaj dhe më tej do të japë konkluzionet më 31 korrik të vitit 2009. Ai do t'ua paraqesë raportin e tij palëve në konflikt, Këshillit të ministrave europianë, OSBE-së dhe OKB-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›