Tentoi të vrasë ish-gruan, prangoset

Lushnjë/ Bledar Latifaj ishte shpallur në kërkim një javë më parë, pasi tentoi të mbysë ish-bashkëshorten
LUSHNJà - Ka përfunduar në pranga një shtetas i cili akuzohet se ka tentuar të vrasë ish-bashkëshorten, duke e detyruar të gëlltisë një sasi të konsiderueshme fostoksine. Policia e Lushnjës ka arrestuar 33-vjeçarin Bledar Latifaj, banor të fshatit Levan të Fierit.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi sipas burimeve zyrtare të policisë, akuzohej për tentativë vrasjeje. Prangosja e tij është bërë e mundur paraditen e së mërkurës rreth orës 10:00, në kohën që ndodhej i fshehur tek disa të afërm të tij në qytetin e Lushnjës.
Ngjarja
Burime nga policia bëjnë të ditur se Bledar Latifaj ishte divorcuar nga bashkëshortja e tij disa muaj më parë. Por një gjë e tillë duket se nuk është pranuar lehtë dhe si rrjedhojë javën e kaluar ka shkuar në shtëpinë e saj për "sqarim".
Në debat e sipër mësohet se 33-vjeçari ka tentuar ta mbysë ish-bashkëshorten duke i vënë duart në fyt. Ndërsa gruaja ka humbur ndjenjat, fëmijët e çiftit, të cilët e kanë parë skenën me sytë e tyre kanë nxituar për të thërritur fqinjët dhe të afërmit. Ndërsa këta të fundit kanë mbërritur në banesë, e kanë gjetur Latifajn në përpjekje për t'i futur në gojë një sasi fostoksine ish-bashkëshortes për ta bërë që gjithçka të dukej si vetëvrasje.
Me mbërritjen e njerëzve të tjerë, ai është larguar, ndërkohë që gruaja është dërguar për në spital nga fqinjët. Kanë qenë mjekët ata të cilët kanë lajmëruar policinë lidhur me mbërritjen në spital të gruas, të cilën bashkëshorti ka tentuar ta vrasë.
Arrestimi
Pas largimit të Latifajt nga vendngjarja dhe marrjes së dëshmisë së dëshmitarëve, policia ka nisur edhe kërkimin e 33-vjeçarit, i cili është shpallur në kërkim. Arrestimi i tij është bërë i mundur vetëm një javë pas ngjarjes, pas informacioneve të marra nga policia e Lushnjës, se Latifaj ndodhej tashmë në këtë qytet, tek të afërm të tij. 33-vjeçarit do t'i duhet të përgjigjet për veprën penale të "vrasjes së mbetur në tentativë".
*********************************
Lushnjë, tre në pranga, vodhën një motoçikletë
Policia e Lushnjës ka vënë në pranga në orët e para të mëngjesit të së mërkurës tre persona, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer vjedhje. Sipas burimeve zyrtare të policisë Lushnjë, mësohet se në vijim të punës intensive në luftën kundër krimit të pronës u bë i mundur arrestimi i dy të miturve me inicialet D.Z dhe M.M., si dhe 25-vjeçarit Orgest Boçi.
Të tre të arrestuarit janë banorë të fshatit Krutje, të Lushnjës. Duke iu referuar burimeve të policisë, mësohet se të tre personat, që kanë njohje me njëri-tjetrin akuzohen për veprën penale "vjedhje e kryer në bashkëpunim". Sipas policisë, tre autorët gjatë orëve të natës të tre ditëve më parë në fshatin e banimit të tyre, kanë vjedhur motoçikletën e bashkëfshatarit.
Mjeti ka qenë në oborrin e shtëpisë së të zotit dhe tre autorët, të cilët kanë precedentë të mëparshëm kanë hyrë gjatë orëve të natës në oborr dhe fare lehtësisht kanë mundur ta marrin. I dëmtuari ka denoncuar në policinë e Lushnjës dhe hetimi i kësaj të fundit ka zgjatur tri ditë, pasi u arrit zbardhja e ngjarjes dhe prangosja e autorëve.