Tentoi ta përdhunonte në shtëpi,mbesa denoncon dajën në Tiranë
TIRANE - Një vajzë 21-vjeçare nga Shkodra ka marrë frymë lirisht kur daja i saj është arrestuar për vjedhje në Tiranë, pasi ka gjetur momentin e përshtatshëm që ta denonconte për përdhunim. Edhe pse Kujtim F., 48 vjeç, kishte tentuar të përdhunonte mbesën e tij para katër ditësh, ajo nuk ka mundur ta denoncojë, si nga frika që kishte ndaj tij, ashtu edhe ndjenja e turpit që ajo kishte kundrejt të afërmve të saj. Të paktën kështu e ka argumentuar 21-vjeçarja vonesën e saj për të denoncuar dajën e vet. I dyshuari edhe pse e mbante prej disa javësh në shtëpi, në një moment kur ishte në gjendje të dehur "ka harruar" se ajo ishte vajza e motrës së tij. Sipas burimeve nga policia mësohet se 48-vjeçari Kujtim F., është arrestuar dy ditë më parë nga efektivat e Komisariatit Nr.3, pasi akuzohet se në bashkëpunim me një mikun e tij, kanë tentuar të vjedhin një dyqan ushqimor, në rrugën "Mine Peza" në Tiranë. Dhe sikur të mos i mjaftonte kjo akuzë, atij dje i është shtuar edhe denoncimi i mbesës, me të cilën kishte tentuar të abuzonte seksualisht 4 ditë më parë, në shtëpinë e tij, në lagjen Allias të kryeqytetit. Ka qenë ora 18:30 e së mërkurës së kësaj jave, kur Kujtim F., është kthyer në gjendje të dehur në shtëpinë e tij, në lagjen Allias të Tiranës. Në atë moment në shtëpi ndodhej vetëm mbesa e tij 21-vjeçare, e cila prej disa javësh qëndronte aty, pasi do jepte disa provime. Duke e parë dajën në gjendje të dehur, vajza është kujdesur që t'i mbushte mendjen që të flinte, por sapo e ka bindur të shkojë në dhomën e fjetjes, ai ka nisur ta ngacmojë seksualisht. Fillimisht vajza i është shmangur, duke ia lënë fajin pijes, por brenda pak sekondash ai ka nisur ta godasë dhe ka tentuar ta përdhunojë. Mbesa ka filluar të kërkojë ndihmë dhe fatmirësisht ka arritur të shpëtojë nga "kthetrat" e dajës dhe të largohet e tronditur për në shtëpinë e saj në Shkodër. Sipas kallëzimit që ajo bëri dje në Policinë e Tiranës, vajza kishte frikë dhe turp që ta denonconte, për sa kohë ai ishte i lirë. Në momentin që mori vesh që daja i saj u arrestua, atëherë nuk nguroi që t'i drejtohej policisë dhe t'i tregonte abuzimin e tij, edhe pse e kishte vajzën e motrës. Por përsëri ajo ka dhënë edhe disa rrethana lehtësuese për të, duke deklaruar se ishte hera e parë, që ai sillej kështu dhe sipas saj gjithçka ka ndodhur sepse ai ishte në gjendje të dehur. e.d