Turistë amerikanë e anglezë ‘pushtojnë’ “Birra Korça”
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Heshtjen e mjediseve të fabrikës "Birra Korça" e prishën dje një grup turistësh amerikanë dhe anglezë. Duke qenë ditë e shtunë përkthyesi i grupit, i kishte paralajmëruar ata se shumica e punëtorëve të fabrikës e kishin ditë pushimi. Por grupi i turistëve kishte këmbëngulur për ta vizituar patjetër këtë fabrikë. Shtysë kishte shërbyer fakti se shumica e tyre sapo kishin mbërritur në vendin tonë kishin shijuar të parën "Birra Korça" dhe më pas donin të njiheshin me fabrikën ku ajo prodhohej. Shumë prej turistëve kishin lidhje të forta me birrën. Disa kishin punuar në këtë sektor, disa të tjerë ishin pijetarë të pasionuar pas saj, mes tyre ishin edhe disa të tjerë, që bënin pjesë në një kompani që ndjek tregun e llojeve të ndryshme të birrës dhe reklamon llojet që janë më ushqyese për konsumatorët në vendet e BE-së dhe më gjerë. Mes turistëve ishin Leroy Salowich dhe bashkëshortja e tij Karolla. Ata ishin për herë të parë në vendin tonë. Duke shijuar birrën, Leroy u shpreh: "Jam i lumtur që shoh një fabrikë moderne, që prodhon këtë birrë kaq të shijshme. Sapo e shijova e ndjeva se është birrë bio, është e ushqyeshme, ka një erë karakteristike, i ngjan birrës çeke "Butvajzer", por edhe ndonjë birre amerikane. Birra e zezë më ngjalli kënaqësi të veçantë. Po shoh se në këtë fabrikë çdo gjë është sterile, një nga kushtet që ndikon edhe në cilësinë e lartë të saj", u shpreh ai. Sipas turistëve, kur agjencia iu kishte ofruar vendet që mund të vizitonin në Korçë, ata kishin rënë dakord njëzëri për të vizituar fabrikën e birrës.
Edhe Karolla e shijoi deri në fund "Birra Korça"-n. "Më vjen mirë që shqiptarët kanë guxuar e kanë ngritur një fabrikë të tillë. Vij për herë të parë në Shqipëri, por e kam njohur atë që në vitin 1958 nëpërmjet një familjeje shqiptare, që jetonte afër nesh aty në Miçigan", u shpreh ajo. Mes grupit të turistëve ishte edhe zonja G. Deakins, anëtare e një kompanie evropiane, që ka mision propagandimin e birrave ushqyese në vendet e BE-së e më gjerë. Duke folur rreth "Birra Korça" ajo u shpreh se: "Mua po më pëlqen shumë "Birra Korça" veçanërisht birra e zezë. Prodhimet e kësaj fabrike janë cilësore. Do t'ju thosha shqiptarëve që të guxojnë e rritin prodhimin dhe të eksperimentojnë edhe lloje të tjera birrash bio, sepse paskeni traditë të vjetër dhe prodhim me cilësi të lartë. Në botë aktualisht pihen 84 lloje të ndryshme birrash. Mund të them se në to përfshihet edhe "Birra Korça", që është vështirë ta dallosh nga birrat më të mira".