Lirohet studentja e kapur me drogë
TIRANE - Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda liron me kusht Aurora Liçon, studenten e Fakultetit të Mjekësisë, të arrestuar për përfshirjen në trafikun e 640 gramëve kokainë. Ndërsa për dy të bashkëpandehurit e saj Iliad dhe Pandush Naslazi, Gjykata vendosi dënime më 28 muaj dhe me 10 vjet burg. Vendimi në ngarkim të tre personave, të akuzuar për "trafik të lëndëve narkotike" u shpall pak ditë më parë në Apelin e Krimeve të Rënda. Sipas verdiktit të togave të zeza të Apelit, Aurora Liço do të qëndrojë nën masën e "lirisë me kusht" për një periudhë 5-vjeçare. Referuar vendimit, gjatë kësaj kohë asaj i duhet të përfundojë studimet, të cilat i ndërpreu për shkak të arrestimit, si edhe të zbatojë të gjitha kushtet e tjera të përcaktuara nga gjykata. Po sipas vendimit i pandehuri Ilia Naslazi u dënua me heqje lirie për 28 muaj, ndërsa Pandush Naslazi me 10 vjet. Për shkak të aplikimit të gjykimit me kohë të shkurtuar të pandehurit përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit të dhënë nga gjykatë. Në qershor të këtij viti Shkalla e Parë e Gjykatës për Krimet e Rënda, në një gjykim me kohë të shkurtuar vendosi nga 10 vjet burg për tre të pandehurit. Aurora Liço, studente në Fakultetin e Mjekësisë u arrestua në 27 tetor të vitit 2008. Ajo u prangos në pikëkalimin kufitar të Kapshticës, teksa po tentonte të kalonte drejt Greqisë një sasi prej 640 gramësh kokainë. a.b