E Diel, 1 Nëntor 2026

Tentoi të përdhunonte 6-vjeçaren, arrestohet në flagrancë nga policia

Gazeta Shqip

Vlorë

Një person me precedentë të shumtë penalë ka tentuar të përdhunojë një vajzë të mitur, vetëm 6 vjeçe. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së hënës në qytetin e Vlorës, kur një telefonatë në sallën operative të policisë lokale ka vënë në lëvizje agjentët, të cilët ndërhynë menjëherë dhe arrestuan në flagrancë 20-vjeçarin.

Ngjarja

Sajmir Demaj, me precedentë të shumtë penale, ka tentuar tw përdhunojë të miturën, 6 vjeçe, ku familjet e tyre janë dhe komshinj në këtë lagje. Jemi njoftuar nga të afërmit e vajzës së mitur 6-vjeçare dhe bëmë të mundur arrestimin e autorit, thanë burimet nga policia. Sipas tyre, Demaj, ka qenë mjaft i dhunshëm në momentin e arrestimit dhe i ka kundërshtuar punonjësit e policisë. Menjëherë, e mitura është shoqëruar për në ambientet e spitalit të Vlorës, ku i është bërë dhe një kontroll nga mjekët kirurgë, si dhe një psikologe, e cila ka qëndruar me të deri në orët e para të ditës së djeshme, shtojnë burimet nga policia lokale.

Hetimet

Në lidhje me këtë rast është ngritur një grup i posaçëm hetimor me prokurorë të Rrethit Gjyqësor të Vlorës, nga specialistë të hetimit të krimit, mjekë ligjorë dhe psikolog. Është bërë dokumentimi i plotë ligjor i kësaj ngjarjeje dhe është arrestuar në flagrancë shtetasi i mësipërm për veprën penale të kryerjes së marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me të mitur, pohojnë burimet, që sqarojnë se Sajmir Demaj është person me precedentë të shumtë penalë dhe me rrezikshmëri të theksuar kriminale.

Precedentët penalë

20-vjeçari, me vendimin nr. 241, datë 08.07.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Vlorës është dënuar me 6 muaj burg për veprën penale të vjedhjes.

Ndërkaq, në datën 13 shkurt 2009 mësohet se i ka grabitur sendet personale shtetases L. P., duke e plagosur lehtë me thikë në grykë. Në cilësinë e provës materiale i janë gjetur sendet e grabitura.

Më datë 12 tetor 2011, shtetasit Sajmir Demaj, banues në Vlorë, gjatë kontrollit personal që ju bë, në xhepin e pasmë të pantallonave, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një paketë cigare e markës Slims, brenda së cilës ndodhej një sasi bime narkotike me peshë 1 gram, si ajo e llojit kanabis sativa, e mbështjellë në një qese transparente të tejdukshme.

Më datë 09.02.2012, rreth orës 20:00, është arrestuar në flagrancë, pasi ka fyer, sharë e më pas ka kundërshtuar me dhunë duke goditur punonjësin e policisë me iniciale A. I.

Lirimi me kusht

Policia e Vlorës jep alarmin se persona të rrezikshëm janë liruar nga gjykatat, madje midis tyre është edhe i arrestuari i djeshëm Sajmir Demaj, i cili tentoi të përdhunonte një 6-vjeçare. Sipas policisë, prokuroria dhe gjykata nuk kanë pranuar provat për një sërë personash, duke mbajtur anën e personave të dënuar apo të arrestuar. Kjo situatë, sipas Policisë së Vlorës, është alarmante, pasi krimet në këtë qytet kryhen nga këta persona me precedent penalë. Në lidhje me rastin e Demajt, policia thotë se ai ishte liruar me kusht, megjithëse ishte dënuar me 5 vite burg. Në këtë rast, faji sërish është i gjykatës e cila ka pranuar kërkesën e institucionit ku vuan dënimin.

Tentoi të përdhunonte 6-vjeçaren, arrestohet në flagrancë nga policia burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›