Vret bashkëfshatarin fqinj se i hëngri lopa barin e thatë
Lushnjë
Nezir Mehmeti qëllon me thikë fqinjin Servet Nella
Vret me thikë bashkëfshatarin e tij për barin që i kishte ngrënë lopa e fqinjit. Nezir Mehmeti 35 vjeç, banues në fshatin Grabian të Rrethit të Lushnjës, është prangosur dje pasdite për veprën penale të vrasjes me dashje, pasi dyshohet si autor i bashkëfshatarit të tij, Servet Nella, 34 vjeç.
Lajmi u bë i ditur për gazetën nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit, të cilat sqaruan se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta.
Ndërkaq, nga banorë të fshatit është mësuar se sherri mes dy fqinjëve ka nisur për shkak se lopa e viktimës kishte konsumuar një sasi të barit të thatë që 35-vjeçari Mehmeti e kishte magazinuar për në dimër. Sipas banorëve, Neziri ka shkuar të takojë 34-vjeçarin Servet Nella, dje pasdite rreth orës 15:00.
Aty mësohet që ata të kenë debatuar me njëri-tjetrin. Sipas burimeve të sipërcituara, 35-vjeçari Mehmeti mësohet të ketë qenë agresiv dhe e ka fajësuar 34-vjeçarin Nella për dëmin që i ishte shkaktuar. Më pas ai mësohet ta ketë ofenduar me fjalë të rënda, çka ka bërë që edhe Serveti të kundërpërgjigjet. Ata janë qëlluar fillimisht me grushte me njëri-tjetrin, e më pas janë kapur trup më trup.
Në këto momente, dyshohet se i arrestuari ka nxjerrë thikën që ka pasur me vete dhe e ka qëlluar kundërshtarin në pjesë të ndryshme të trupit, duke e plagosur rëndë. Nga plagët e rënda të shkaktuara në organet jetësore dhe gjakrrjedhjes, 34-vjeçari Servet Nella ka ndërruar jetë, përfundojnë burimet. Pas mbërritjes në vendngjarje, policia është vënë në kërkim të autorit dhe ka arritur ta kapë atë pas dy orë ndjekjeje.
Gjatë deklarimeve në polici, autori ka shpjeguar konfliktin me fqinjin, zënkat e herëpashershme e deri te konflikti i djeshëm, i cili ka qenë tragjik për 34-vjeçarin. Sipas dëshmisë, viktima Servet Nella ishte paralajmëruar disa herë. E.H.
Vret bashkëfshatarin fqinj se i hëngri lopa barin e thatë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip