Tenton heqjen e barrikadave, prangoset
Atë që KFOR-i nuk e ka bërë për ditë me radhë, heqjen e barrikadave të serbëve në Mitrovicë, tentoi ta bënte një shqiptar i cili me mjetin e tij, një buldozer ka tentuar heqjen e barrikadës kryesore, atë mbi urën e lumit Ibër, urë që lidh veriun dhe jugun e Mitrovicës.
Sic njofton Kosovapress, rreth orës 14:00 një shtetas është afruar me buldozer dhe kamionë duke tentuar heqjen e barrikadës mbi urë. Por përpjekjet e tij janë ndalur nga Policia e Kosovës, e cila e ka prangosur. Ngjarja në fjalë grumbulloi dhjetra persona rreth urës.
Më herët, në të njëjtin vend u regjistrua një tjetër incident. 11 persona të veshur me uniforma të ushtrisë ruse, zbarkuan në anën veriore të urës së lumit Ibër dhe kënduan këngë “për Kosovën”. Por në këtë rast, as KFOR, as EULEX dhe Policia e Kosovës nuk ndërhynë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, deklaroi të hënën se gjendja në veri të Mitrovicës vazhdon të jetë e njëjtë.
Sipas Hotit deri më tani nuk ka ndonjë veprim nga forcat e KFOR-it për largimin e barrikadave. Ndërkaq, sa i përket shtimit të barrikadave të reja, ato vazhdojnë të jenë të njëjtat.
Hoti sqaroi se automjetet që janë prezente në këtë barrikadë, serbët e veriut i kanë lidh njëra me tjetrën, për ta bërë më vështirë të largohet nga ana e forcave paqëruajtëse të NATO-s.