Vetëvendosje: Çizmet e policëve mbi protestuesit janë fashizëm

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj deklaratave të ambasadorit të Francës në Kosovë, Jean Francois Fitou, i cili veprimet aktivistëve i quajti fashiste dhe hitleriane. Vetëvendosje vlerëson se deklaratat e ambasadorit francez janë ofenduese për secilin anëtar dhe mbështetës të kësaj lëvizje.
Nëpërmjet një komunikate për media Vetëvendosje vlerëson se ambasadori francez në Kosovë, Jean Francois Fitou e ka humbur arsyen dhe është shprehur në mënyrë të nxituar e fyese për aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke i krahasuar veprimet e tyre me ato të fashistëve në 1943, të cilët nuk i lejonin të tjerët të shpreheshin.
“Kjo deklaratë e ofendon secilin anëtar dhe mbështetës të kësaj Lëvizje, e cila në historinë e saj mbart frymëzimin e ardhur nga lufta e popullit shqiptar kundër pushtimeve, kundër tiranive, kundër fashizmit, një luftë e cila me ç’po duket ende s’ka përfunduar, përderisa ky popull ende nuk mund të gëzojë lirinë, sovranitetin e pavarësinë e vet sovrane, njësoj si çdo popull tjetër i Evropës e i Botës”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
Më tutje, Vetëvendosje thekson se ambasadori Jean Francois Fitou ka folur për fashizmin, e fashizmi ka të bëjë me ata që imponohen e dominojnë prej piedestalëve të autoritetit, duke shtypur shprehjen e tjetrit.
“Mirëpo, zoti ambasador duhet ta dijë që autoriteti shtypës në Kosovë nuk janë qytetarët, as aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Arrestimi i protestuesve dhe dhuna policore dhe e truprojeve të ministrit Rexhepi ndaj atyre vajzave e djemve që shprehën qëndrimin e tyre legjitim qytetar e politik e tregon fare mirë se cili i përngjan fashistëve në Kosovë”.
Edhe në këtë rast, Vetëvendosje thekson se aktivistët e saj nuk kanë ndërmend të ndalen përpara kurrfarë vështirësish e pengesash, ndërsa vlerëson se kanë qenë ofenduese edhe shprehjet vulgare të ministrit Bajram Rexhepi, i cili është mësuar t’i peshojë qytetarët në xhepin e tij.
“Mësoje zoti ministër, qytetarët dhe qytetarinë nuk e blen paraja. Edhe pse xhepat mund t’i kesh plot, edhe pse burgjet mund t’i mbushësh me të rinjtë që protestojnë ndaj paaftësisë dhe ndaj indiferencës tënde, vlerat e vërteta të shqiptarit t’i kurrë nuk do t’i kesh në xhep, për sa kohë që dukshëm nuk i ke në karakter e në shpirt”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
Lëvizja e Albin Kurtit konsideron se ndaj një ministri të Brendshëm si Bajram Rexhepi, i cili nuk mbërrin të sigurojë as jetën e policëve, e jo më atë të qytetarëve, gjëja më e paktë që mund të bëhet, është të fishkëllehet.