Vidhnin banesat e emigrantëve, dy në pranga, një në kërkim
Dy të rinj janë arrestuar, pasi dyshohen nga policia si autorë të dyshuar të vjedhjes të dy banesave në qytetin e Beratit, ndërkohë që një i tretë është shpallur në kërkim. Burime të Komisariatit të Policisë së Beratit bëjnë të ditur se rreth orës 23:30 të së martës është bërë ndalimi i shtetasve Emiliano Berisha dhe Ergys Hetemi, të dy 19-vjeçarë, lindur dhe banues në lagjen "30 Vjetori" në këtë qytet, ndërkohë që një tjetër autor i dyshuar është shpallur në kërkim. Të rinjtë janë ndaluar në banesat e tyre, pasi akuzohen nga policia për vjedhjen e disa banesave të pabanuara në lagjen ku jetojnë. Kështu, si rezultat i kryerjes së një sërë veprimesh hetimore procedurale dhe verifikimesh është bërë i mundur zbulimi dhe dokumentimi i vjedhjes së banesës së shtetasit Dh.K., i cili bashkë me familjen jeton jashtë Shqipërisë. Disa ditë më parë të afërmit që kujdeseshin për banesën kanë konstatuar vjedhjen e saj dhe kanë kërkuar ndihmën e policisë. Nga verifikimet e bëra ka rezultuar se ishin vjedhur disa pajisje elektroshtëpiake dhe policia ka nisur menjëherë hetimet. Ekspertët kriminalë kanë konstatuar se vjedhja ishte kryer nga të njëjtët persona që kishin kryer vjedhjen e një tjetër banese, atë të shtetasit G.A., pranë stadiumit të qytetit. Të njëjta burime pohojnë se për dy vjedhjet është shpallur tashmë në kërkim dhe Albion Kola, po nga ky qytet, i cili dyshohet të ketë bashkëpunuar me dy të ndaluarit e policisë.
Mi.H.
Mi.H.