E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenton të përdhunojë nxënësen, pranga mësuesit

Gazeta Shqip

Rrëshen

Ded Gjini kishte ftuar në banesë 15-vjeçaren, për të përmirësuar notën

Policia e Mirditës ka arrestuar Ded Gjinin, mësues në shkollën nëntëvjeçare të qytetit të Rrëshenit. Arrestimi i tij është bërë pas denoncimit të nxënëses së tij, e cila së bashku me prindërit, kanë bërë kallëzimin në Komisariatin e Policisë së Mirditës. Mësuesi dyshohet se e kishte ftuar 15-vjeçaren në banesë dhe në këmbim të kryerjes së marrëdhënies seksuale, ai do ti përmirësonte notën. Burime zyrtare të Policisë së Mirditës bëjnë të ditur se denoncimi është kryer ditën e premte, rreth orës 23:30, nga familjarët e adoleshentes e E.V. Ata ishin shqetësuar se vajza e tyre nuk ishte kthyer në banesë. Menjëherë pas këtyre informacioneve, Policia e Mirditës ka ngritur pika kontrolli në qytetin e Rrëshenit dhe në fshatin Gëziq, pasi nga të dhënat e para ishte mësuar se adoleshentja kishte ikur nga banesa e një shoqeje së saj dhe ishte drejtuar tek banesa e mësuesit Ded Gjini. Ky i fundit i kishte vënë notë të ulët në provim dhe e kishte ftuar adoleshenten që të rishikonte dhe një herë tezën e provimit në shtëpinë e tij ku jetonte i vetëm. Pas mbërritjes në banesën e mësuesit Ded Mark Gjini, i datëlindjes 04.03.1950, u bë arrestimi në flagrancë i tij, pasi ky i fundit po tentonte të kryente marrëdhënie seksuale me të miturën. Mësuesi është habitur nga prania e policisë në shtëpinë e tij në atë orë të vonë të natës, thanë burimet nga policia. Adoleshentja po bënte rreth tri orë që kishte shkuar në banesën e mësuesit, i cili, pasi kishte mbyllur derën e shtëpisë me çelës, nuk e kishte lejuar të largohej, duke kryer veprime të turpshme me të miturën, nxënësen e tij. Policia thotë se mësuesi Ded Gjini u arrestua në flagrancë për veprat penale të veprimeve të turpshme me të mitur, marrëdhënie seksuale me të mitur të mbetura në tentativë dhe shpërdorim detyre. A.B

Tenton të përdhunojë nxënësen, pranga mësuesit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›