E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i organeve, rihapen hetimet për Dautajn

Gazeta Shqip

DENONCUESJAProkuroria merr kallëzimin e Sheqere Likajt, që pretendon se mjeku i ka hequr një veshkë

Silvana Muça

Një tjetër skandal për trafik organesh ka dalë në dritë ditët e fundit, për kirurgun Kastriot Dautaj. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në vitin 1998, kur Sheqere Likaj, nga Patosi i Fierit, i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për gurët në veshka. Operacioni është bërë nga Dautaj dhe 56-vjeçarja pretendon se veshka e saj është vjedhur në sallën e operacionit. Rasti është zbuluar vetëm muajt e fundit nga Likaj, e cila kishte shkuar në Greqi, për të bërë një vizitë pas shqetësimeve të përhershme që pacientja ka pasur edhe pas operacionit. Bashkëshorti i Sheqeres, Përparim Likaj, pretendon se ditën e operacionit të 56-vjeçares, në të njëjtën sallë ka hyrë një vajzë e re, e cila ka qenë e afërme e mjekut. Sipas tij, dyshohet se mbartësja e veshkës së gruas nga Patosi të jetë e afërmja e kirurgut. Ndërkaq, në vitin 2005, pacientja Zyra Ago do ta akuzonte mjekun e saj, për trafik organesh në Kosovë. Dautaj, në vitin 2002, e kishte bërë operacion për ti marrë veshkën. Ndonëse ndaj tij janë zhvilluar një sërë seancash gjyqësore për krimin e rëndë, Gjykata e Tiranës i dha pafajësinë, duke bërë që ai të shpëtonte pa i hyrë gjemb në këmbë. Tashmë, edhe Sheqere Likaj dyshohet se ka rënë viktimë e mjekut, i cili i ka thënë se kishte gurë në veshka dhe se duhej të bëhej operacion. E njëjta metodë është ndjekur edhe me rastin e vitit 2002, nga Ago.

Kërkoj veshkën time!

Kërkoj veshkën time! Ku është ajo dhe çfarë është bërë me trupin tim?. Këto janë pikëpyetjet që 56-vjeçarja Sheqere Likaj kërkon të dijë nga policia dhe mjeku që i bëri operacionin në vitin 1998. Para 15 vjetësh, Likaj është detyruar që të udhëtojë nga Patosi i Fierit drejt Tiranës, për tiu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, për heqjen e gurëve në veshka. Ajo pretendon se mjekët i kanë thënë pas operacionit se gjithçka kishte dalë me sukses dhe se veshka pas kësaj, do të funksiononte normalisht. Por gjatë gjithë kohës 56-vjeçarja ka pasur probleme dhe për pasojë, ajo është detyruar që të bëjë një vizitë në një spital në Greqi. Mjekët i kanë thënë se 56-vjeçares i mungonte njëra prej veshkave. Ajo nuk e ka besuar këtë gjë, duke menduar se bëhej fjalë për një shaka ose gabim. Sheqere Likaj ka udhëtuar nga Greqia drejt Tiranës për të bërë sërish vizitë. Mjekët shqiptarë i kanë dhënë të njëjtën përgjigje. E indinjuar, 56-vjeçarja është përplasur në dyert e spitalit të QSUT-së, aty ku ishte bërë operacion para 15 vjetësh. Likaj ka kërkuar kartelën e pacientit, por ka qenë e kotë, pasi ajo rezulton e zhdukur. Menjëherë pas kësaj, kam shkuar të kërkoj kartelën e operacionit të realizuar në vitin 1998. Ishte e kotë, sepse në arkivin e spitalit nuk është gjetur asnjë e dhënë. Kam tentuar që të kontaktoj me mjekun që bëri ndërhyrjen kirurgjikale, Kastriot Dautajn. Nuk e kam takuar asnjëherë dhe për pasojë nuk ia njoh as fytyrën. Në spital më kanë thënë se ai nuk punon më aty prej kohësh. E gjithë kjo histori është mbuluar me mister. Im shoq, Përparimi, ka firmosur për operacionin dhe ai nuk di të thotë asgjë për fatin e veshkës sime, shprehet Sheqere Likaj, e cila është në kërkim të veshkës. Pas përpjekjeve për të zbardhur të vërtetën ajo i është drejtuar Policisë së Tiranës, për të paditur kirurgun. Thotë se kërkon që e vërteta të dalë në shesh dhe se policia duhet të zbardhë menjëherë ngjarjen e rëndë. Gruaja pretendon se ka kërkuar të përfitojë pagesë paaftësie, por mjekët e Fierit ia kanë mohuar këtë të drejtë.

Trafik organesh?

Pas denoncimit të rastit të fundit, prokuroria mund të rihapë hetimet për trafik organesh për mjekun Kastriot Dautaj, i cili edhe më parë është hetuar për një vepër penale, por dosja iu tërhoq gjatë gjykimit. Pas daljeve të fakteve të reja, prokuroria mund ta ringrejë sërish këtë akuzë ndaj Dautajt, pasi edhe më parë ka pasur të dhëna se ai trafikonte organe drejt shtetit të Kosovës. Madje, edhe heqja e veshkave të pacientëve, nuk është i vetmi rast nga Dautaj. Prokuroria dyshon se ky mjek ka ngritur edhe skemën për rekrutimin e preve të tij, duke u thënë se është mjaft rëndë dhe ka gurë në veshka. Për pasojë pacienti duhet të bëjë ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale. Në vitin 2002, Zyra Ago është paraqitur për të bërë eko të veshkave. Pas kësaj, Dautaj ka kërkuar prej pacientes që të bëjë një pirografi, e cila do të sqaronte funksionin e veshkave. Gjatë konsultës ai i ka thënë se gurët do ti shkatërronte me goditje me aparaturë. Kur Zyra Ago është paraqitur në datën e caktuar, ai nuk ka pranuar që ti bënte goditjet e gurëve, por duhej të bënte ndërhyrje. Pacientja nuk ka pranuar sepse nuk kishte mundësi financiare e për pasojë e kanë bërë te spitali shtetëror. Pas operacionit, ai nuk është interesuar fare për shëndetin e pacientes. I kanë thënë se Dautaj kishte ikur në Kosovë menjëherë pas operacionit. Në vitin 2005, Ago e çoi çështjen në prokurori. S.Muça

Veshka

Bashkëshorti i 56-vjeçares, Përparim Likaj, hedh dyshime të forta për inkriminimin e mjekut kirurg në vjedhjen e veshkës së bashkëshortes së tij

Vajza

Ditën e operacionit të Sheqeres, një vajzë e re ka hyrë urgjentisht në sallën e operacionit, pasi edhe ajo kishte probleme në veshka

Misteri

Familja Likaj pretendon se pacientja ka pasur lidhje gjaku me kirurgun Kastriot Dautaj. Çifti thotë se gjithçka është e mbuluar me mister

Kartela

Menjëherë pas marrjes së kallëzimit të 56-vjeçares, janë vënë në kërkim të kartelës mjekësore, por ajo nuk është gjetur në QSUT

Trafiku i organeve, rihapen hetimet për Dautajn burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›