Kreu i bandës, drejtonte grupin nga qelia e burgut
Rrjeti i trafikut të drogës, paratë u investuan në Shqipëri
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka hapur një hetim pasuror për 34 të arrestuarit e fundit në Shqipëri dhe në disa vende të BE-së, pasi dyshohet se krahas trafikut të drogës dhe prostitucionit, të ardhurat investoheshin në Shqipëri. Ka dyshime se krerët e grupit kanë ngritur disa biznese në Tiranë dhe Elbasan, ndërsa hetimet e mëvonshme do të zbardhin edhe të gjitha pronat, pasi u është dërguar kërkesë hipotekave dhe bankave.
Sipas burimeve nga akuza, Oliver Alias, që për autoritetet e drejtësisë italiane njihej si Arroganti, është cilësuar drejtuesi i rrjetit kriminal të trafikut të drogës dhe prostitucionit. Kjo nofkë, sipas dosjes hetimore, i është vënë për shkak të sjelljes së tij karshi rivalëve të trafikut dhe dhunës që ushtronte ndaj vartësve. Nën urdhrat e Arrogantit, sipas hetimeve italiane, kanë qenë 34 persona, të cilët tashmë janë arrestuar në 6 shtete të Europës dhe rezulton që kanë lidhje gjaku e shoqërore me njëri-tjetrin. Lidhja familjare ka bërë që rrjeti kriminal të funksionojë për disa vite në Itali, Holandë, Belgjikë, Francë, Zvicër e Spanjë, ku të ardhurat e këtij krimi mendohet se janë investuar në Shqipëri nga vëllezërit Hoxha nga Librazhdi.
Në gjurmët e trafikut ndërkombëtar, sipas hetimeve, drejtësia italiane ka rënë rastësisht, pas arrestimit të një shtetase rumune, e cila ishte shfrytëzuar për prostitucion. Ajo ka pranuar të tregojë rrjetin e prostitucionit të drejtuar nga Oliver Alias, Dritan Hoxha, dhe më pas hetuesit kanë zbuluar rrjetin e sofistikuar të kokainës, heroinë dhe ekstazi në vendet e BE-së. Për llogari të këtij grupi, janë arrestuar 34 persona, 7 janë arrestuar në Shqipëri dhe 4 të tjerë janë shpallur në kërkim, 12 persona janë arrestuar në Itali, 6 të tjerë në Belgjikë, 3 në Zvicër dhe 1 në Spanjë e 1 në Holandë. Edhe pas arrestimit të Dritan Hoxhës, nga burgu i Milanos, ka arritur të drejtojë trafikun deri në momentin e arrestimit të të gjithë grupit më 10 prill në disa vende të Europës me ndihmën e Prokurorisë për Krime të Rënda, Eurojustit dhe Europolit.
Kreu i bandës, drejtonte grupin nga qelia e burgut burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email