E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenton të vrasë qenin, plagos dy mbesat e veta

INCIDENTI/ Zef Zefi është vënë në pranga në orët e vona të së premtes, ndërsa dy adoleshente kanë përfunduar në spitalin e Lezhës në gjendje të rëndë


LEZHË - Ka plagosur dy mbesat e tij ndërsa tentonte në vriste me çifte një qen e më pas është vetëdorëzuar në polici. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Mërqin të Lezhës, ndërsa i arrestuari është shtetasi Zef Zefi.


Burimet nga policia e Lezhës bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 të së dielës, teksa në spital në gjendje të rëndë ndodhen një 14 dhe një 16-vjeçare, mbesa të autorit.


Mësohet se mbrëmjen e së dielës shtetasi Zef Zefi ka dalë në oborr ku ka parë një qen për të cilin dyshonte se i hante pulat. Si rrjedhojë, ai është futur brenda në shtëpi dhe ka marrë një çifte e më pas ka qëlluar në drejtim të qenit. Por duke qenë errësirë nuk ka parë se në vijë të drejtë ndodheshin edhe dy vajzat e të vëllait. Si rrjedhojë, plumbat kanë kapur dy vajzat, përkatësisht 14 dhe 16 vjeçe.


Pas ulërimës së dhënë nga dy adoleshentet, ai ka thirrur dhe anëtarë të tjerë të familjes dhe pas ii kanë marrë dy vajzat i kanë dërguar për në spitalin e qytetit të Lezhës. Vajzat janë marrë menjëherë nga mjekët, teksa ndërkohë është lajmëruar edhe policia për mbërritjen e tyre dhe plagët e shkaktuara nga një armë zjarri. Punonjësit e policisë kanë mbërritur në spital, teksa Zef Zefi është vënë në pranga.


Burimet nga policia bëjnë të ditur se pasi është marrë në pyetje, xhaxhai ka treguar lidhur me ngjarjen e ndodhur si dhe me plagosjen aksidentale të dy mbesave të tij adoleshente.


Ai ka rrëfyer lidhur me faktin se ka dashur të qëllojë një qen dhe se nuk kishte parë që vajzat e të vëllait ndodheshin jashtë oborrit e pikërisht në drejtimin që ai kishte shtënë me armë. Pas marrjes së dëshmisë së tij, Zef Zefi është dërguar në dhomat e paraburgimit në gjendje të rënduar psikologjike.


Ndaj tij është ngritur akuza e vrasjes nga pakujdesia, mbetur në tentativë, ndërkohë që është bllokuar edhe arma e krimit, tip çifte, ndërsa një grup hetimor ka mbërritur në fshatin Mërqin të Lezhës për të vëzhguar vendin e ngjarjes, si dhe për të vërtetuar pretendimet e autorit të krimit të ndodhur pasditen e së dielës.


Mësohet se mbesat e Zef Zefit janë në gjendje të rëndë, ndërkohë që pritet që adoleshentet të kalonin pikën kritike gjatë natës. Dy vajzat kanë qenë duke luajtur në kohën që xhaxhai i tyre ka marrë armën për të qëlluar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›