Teodor Laço: Zemërimi i 1997-ës nuk lindi nga prekja e votës
Teodor Laço, ish- ministër i Kulturës në qeverinë e Aleksandër Meksit, në një intervistë të gjatë për GSH, thotë se nuk ishte prekja e votave që provokoi zemërimin e vitit 1997.
Nga zgjedhjet e qershorit deri në fund të janarit 1997, kur në Lushnje u dha sinjali i parë i rebelimit, janë 7 muaj. Nëse shqiptarët pa përvojë në zgjedhjet në demokraci, do të ishin kaq të prekshëm për votën e tyre, kaq të zemëruar për shkeljet, pse duhej të duronin kaq gjatë për tu revoltuar, aq më shumë kur këtë thirrje ua bënte edhe opozita? Në vitin 1996, përkundrazi, shumica përjetonte një begati iluzore, pikërisht sepse lulëzonin gjithandej firmat e famshme që i derdhnin paratë sikur i këputnin nga pema, thotë Laço duke shtuar se zemërimi dhe protesta e individit është ku e ku më e fortë kur i cenon xhepin, bukën e gojës, sesa kutinë të gjithëve, domethënë votën.
I pyetur nëse qeveria e Meksit ka qenë e korruptuar, Laço thotë: Në qoftë se e keni fjalën nëse gjatë kësaj qeverie korrupsioni ishte ngritur në sistem, përgjigjem pa ngurrim me një jo të madhe.
Laço thotë se qeveria e Meksit ishte një qeveri idealistësh në të përgjithshmen e saj.