Teodosije e quan Prizrenin, Stamboll serb
Ringjallja kishtare dhe shpirtërore në Prizren është një prej ngjarjeve më të rëndësishme në Kosovë. Kështu ka deklaruar peshkopi i Rashkë-Prizrenit, Teodosije.
Në një deklaratë për radion e Republika Srpksa, ai ka thënë se kur gjithçka ishte e rrënuar dhe në Prizren nuk kishte shërbim fetar ortodoks, ky qytet dukej krejtësisht i huaj.
“Prizreni është Jerusalemi ynë, Stambolli ynë. Prizreni është qytet i Car Dushanit dhe me objektet e shenjta dhe me bukurinë e tij mund të themi se Prizreni është pika jonë e shenjtë dhe shpirti ynë”, ka theksuar peshkopi, i cili është kthyer në selinë e tij në Prizren, ku të dielën do të mbajë shërbesën për festën e Pashkëve.
Sipas Teodosijes, Prizreni ka gjithnjë rëndësi simbolike për të gjithë serbët, e veçmas për ata që jetojnë në Kosovë.