E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teopolitika dhe kandidatja e Vatikanit

Besnik Sinani

Një artikull i ditëve të fundit i gazetarit Agim Popoçi e shpall Jozefina Topallin si kandidate të Vatikanit. Artikulli sqaron se burime nga Vatikani qartësojnë se në situatën shumë të tensionuar politike, personi i duhur është Jozefina Topalli dhe në klimën e rënduar politike, kur kryeprokurorja është në shënjestër të politikës, kryeministri është mysliman, guvernatori i Bankës së Shqipërisë është ortodoks, mozaikun qeverisës është mirë ta plotësojë një drejtues i përkatësisë katolike, në mënyrë që vendimet e mëdha që do të pasojnë të jenë nën një klimë relaksuese dhe ligjore.

Nuk është hera e parë që Jozefina Topalli është paraqitur si kandidatja katolike, ku identiteti i saj katolik paraqitet si e dhëna më e rëndësishme në pretendimin e saj politik. Artikulli nuk sqaron se në çmënyrë përkatësia e supozuar myslimane e Berishës apo ajo ortodokse e guvernatorit të Bankës kanë tensionuar politikën shqiptare, e aq më pak të adresojë faktin se znj. Topalli nuk gëzon reputacionin e politikanes. Edhe më abuzuese janë pretendimet se ndërhyrja e SHBA-së në Kosovë ka qenë nën shtysën e Vatikanit, por, përpara se të na kujtojë të tilla borxhe të supozuara, autori do duhej të kujtonte që Vatikani ende nuk e ka njohur Kosovën, në mënyrë që, siç kanë deklaruar zyrtarët e saj, mos tensionojë marrëdhëniet me vëllezërit ortodoksë serbë.

Autori që citon burime në Vatikan, nuk nguron të bëjë edhe shantazh mbi të ardhmen e Shqipërisë në Evropën e Bashkuar, e ardhme e cila qenka më e sigurt me një presidente katolike, edhe pse kjo kandidate paraqitet si rivalja e kandidatit me mbështetje amerikane, një tjetër politikan me origjinë të krishterë, Fatos Nano. Asnjë nga udhëheqësit e rëndësishëm të Shqipërisë së paskomunizmit, përfshi ata me origjinë të krishterë si Fatos Nano apo Alfred Moisiu, nuk kanë zënë këto poste si pjesë e distribucionit politik mbi baza fetare. Kjo lloj teopolitike e propozuar shkon në kundërshtim me kulturën politike shqiptare dhe politizon identitetet fetare në një mënyrë sa artificiale, aq edhe me potenciale tensioni.

Kjo shtysë teopolitike nuk vjen vetëm si pjesë e lobimit për znj. Topalli, lobim i artikuluar më parë edhe nga Zef Bushati, por si pjesë e një artikulimi të ri politik nga bashkësia katolike, ku kujtojmë se kreu demokristian Ndoka ka ngritur pretendimin se znj. Topalli ka monopolizuar përfaqësimin e katolikëve, por nuk është një përfaqësuese e denjë e katolikëve. Vetë znj. Topalli ka flirtuar edhe vetë me këtë retorikë, siç ishte në rastin e përplasjes të para ca kohëve me presidentin Topi, kur ajo paraqiti veten si pasardhëse të Fishtës dhe denigroi Topin si pasardhës të Haxhi Qamilit.

Sigurisht që për sa kohë nuk kemi ndonjë qëndrim zyrtar të Vatikanit rreth kësaj çështjeje, teopolitika e predikuar nga këta katolikë shqiptarë mbetet në nivelin e retorikës, por edhe përgënjeshtrim nuk është bërë. Duhet vënë në dukje gjithashtu se qysh prej krijimit të shtetit shqiptar ka pasur përherë vigjilencë ndaj ndërhyrjes politike të entiteteve fetare nga jashtë, e nuk ka arsye pse e njëjta vigjilencë mos tregohet edhe nga këto lobime me gjasa nga Vatikani.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›