E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma e notave në arsim, urgjente

Artan Fuga

Debate kot dhe debate plot

Ka pothuajse dy vjet që në mjediset tona publike, sidomos në media, aktorë të ndryshëm të interesuar debatojnë për çështje të arsimit në përgjithësi dhe të arsimit universitar në veçanti. Nuk ka asgjë të keqe veçse të mirë, aq më tepër meqë dihet se sektori i arsimit në këto dy dekada ka përballuar detyra që kanë pasur të bëjnë me përmasën kulturore dhe shkencore të revolucionit demokratik në Shqipëri. Krahas të metave dhe vështirësive që janë shfaqur nuk mund të mos thuhet se janë përballuar edhe detyra shumë të vështira. Por, le të hyjmë drejt e në temë.

Nganjëherë debatohet kot.

Kot, sepse problemi hyn ndonjëherë në hulli kaq metafizike, kaq të ideologjizuara, kaq universale saqë i ikën teknicizmit që duhet të karakterizojë çdo arsyetim për reformë. Aq më shumë që ngrihen perspektiva thjesht mbi arsyetime krahasuese me vende me të cilat ne nuk mund të bëjmë asnjë krahasim. Përpos kësaj shpesh diskutohen gjëra që në këtë fazë plot turbulenca që kalon bota është e kotë të gjendet një përgjigje e përsosur. Një nga këto debate të kotë dhe pa bukë e pa drithë ka qenë edhe ai nëse publiku apo privati si tipologji administrimi e shkollës është modeli më i mirë.

Po kështu, lidhur me debatet e zhvilluara më ka ngelur ndër mend edhe një kotësi tjetër që lidhet me faktin se më shumë është debatuar për kuadrin e përgjithshëm të mekanizmave të funksionimit të sistemit arsimor, aq më pak është prekur çështja e mekanizmave të brendshëm të shkollës. Përqasja më shumë ka qenë jashtëshkollore, mekanizmat e tregut të arsimit, dhe më pak brenda shkollore, pra mekanizmat e brendshme, institucionale, të zhvillimit të shkollave si agjenci të rëndësishme sociale. A thua se tregu i arsimit nuk ka specifikat e veta, sikurse ka tregu i shërbimit shëndetësor, i domateve, apo i mediave.

Sipas mendimit tim, prej një përvoje prej thuajse tre dekadash në arsim, kam mendimin se çështja kyçe në këtë reformë të brendshme të shkollës sonë është ajo e ndryshimit të vlerësimit me nota të nxënësve dhe studentëve.

Në facebook un tim kam shkruar se sistemi i notave në shkollën shqiptare iu ngjan ditëve të punës që jepeshin si shpërblim i mjerë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore në kohën e socializmit totalitar shqiptar.

Le ta shqyrtojmë pak më nga afër çështjen që po ngremë.

Notave iu ka dalë boja

Sigurisht kjo nuk është një çështje e mirëfilltë politike, sikurse janë ato që debatohen lidhur me qeverisjen, por ndërkohë që klasa politike merret me vogëlima politike, anë të tjera të shoqërisë sonë kanë mbetur mbrapa dhe sjellin dëme të jashtëzakonshme për kulturën dhe progresin kombëtar. Sistemi aktual i notave dëmton seleksionimin e vlerave të vërteta të intelektualitetit kombëtar, shprish procesin e ndërtimit të elitave shqiptare, prodhon barazimtarizëm dhe mediokritet të paparë mes të rinjve dhe mbi të gjitha i mëson ata me një mjedis ku trafiqet, miku, promovimi për shkaqe politike, shtyn të paaftët të bëjnë më shpejt dhe më mirë karrierë drejt majave mbi supet e të aftëve. Piramida është kthyer mbrapsht. Të paaftët duke ndjekur rrugë të padrejta ngjiten në karrierë profesionale, kurse të aftët, ata mbyten në një det barazimtarie në harrim që e prodhon pikërisht sistemi i notave që ne kemi në përdorim.

Nuk dua të bëj historikun e tyre, por ai është tipikisht një sistem vlerësimi socialist, në kuptimin më të keq të fjalës, pra një sistem që prodhon deprimim te rinia, e cila sheh se atje nuk ka asgjë promovuese.

Notave iu ka dalë boja.

Puna është të dihet se nëse ky sistem notash i vlente regjimit të kaluar pikërisht për tiu ulur kokën talenteve të lira, përse ai vazhdon ndofta si rutinë edhe sot në kushtet e demokratizimit shqiptar? Për mua nuk është e rastit. Klientelizmi demokratik ka edhe ai nevojë që të mos dallohet i shkëlqyeri nga i paafti, nga mediokri, me qëllim që të tërheqë drejt sistemit piramidal të karrierave në sektorin publik dhe privat pikërisht ata që pranojnë të nënshtrohen dhe të jenë ushtarë të bindur të një politizimi apo edhe të një sistemi punësim në sektorin privat që i ngjan marrëdhënieve klienteliste.

Nga vlerësimi individual në sistemin e vlerësimit komunikues individ – grup

Cilat janë të metat e sistemit aktual të notave me dhjetë nota, ku dhjeta është nota më e mirë dhe katra është nota pakaluese?

Nga ta zësh më parë?

Së pari, në fakt janë shumë pak nota dhe nuk ka ndonjë rregullore normative që të shpjegojë se nga dallohet një notë nga tjetra. Duket sikur kemi sistemin e vlerësimit me dhjetë nota, por në fakt, janë vetëm gjashtë nota. Katër është nota më e ulët që e mbet një nxënës ose student në klasë ose e çon për riprovim në një sesion të dytë. Por, tresh, dysh, njësh, askush nuk vendos në librezë apo në regjistër meqë supozohet se po qe se katra është notë mbetëse, përse duhet me u treguar mizor ndaj studentit apo nxënësit për ti vendosur edhe më poshtë sesa kaq? Të vendosësh tresh, dysh, apo njësh, tregon aktualisht se mësuesi dhe pedagogu nuk ka vlerësuar drejt sepse veç vlerësimit të dijeve, ndofta të pamjaftueshme të nxënësit apo studentit, ka shprehur edhe inate apo zemërime ndaj tij. Këto të fundit pastaj hedhin hije edhe mbi objektivitetin e vlerësimit të tij. Pra, në fakt nota kaluese mbesin vetëm gjashtë, shumë pak për të arritur për të bërë dallimin midis pesës dhe gjashtës, shtatës dhe tetës,  nëntës dhe dhjetës. Dihet nga sistemet matëse se sa më të vogla të jenë dallimet mes niveleve të matjes aq më pak të dallueshme janë ato prej njeri tjetrit. Mësuesi dhe pedagogu ka kështu shumë më pak hapësira ku mund ta lëvizë gjykimin e tij për të dalluar formimin e studentëve apo të nxënësve të tij prej njeri tjetrit.

Ka vend pra për të kaluar sa më shpejt, ndoshta qysh në shtatorin e fillimit të vitit të ri shkollor, në një sistem prej tridhjetë ose njëzet notash.

Por, nuk është kjo kryesorja. Së dyti ky sistem notash pengon tensionet mes aktorëve të shkollës për të bërë që nota të jetë një raport mes tyre për të arritur në një vlerësim sa më të drejtë. Është pak a shumë si në një treg ku nota ngjan me çmimet e produkteve. Nëse nuk ka një tension mes shitësit dhe blerësit, mes gjithë shitësve mes tyre dhe mes gjithë blerësve mes tyre, për cilësinë e produkteve, atëherë çmimet bëhen arbitrare.

Nota është bërë arbitrare pikërisht për shkak të sistemit të notave që ne kemi trashëguar nga e kaluara. Rinia, nxënësit dhe studentët presin që në shkolla të ketë një sistem të besueshëm vlerësimi, pra notash, një sistem që jep shpërblimin sipas hakut.

Aktualisht sistemi i notave pasi nota vendoset ne listën e notave të nxënësit apo të studentit ndofta tregon një pamje të cilësisë të të nxënit, por jo renditjen e çdo studenti apo nxënësi në krahasim me shokët apo shoqet e klasës së tij apo të brezit të tij të studimeve.

Po të marrim një shembull : X,Y ka dalë me notën mesatare 8 nga studimet e tij në nivelin bachelor, por vetëm kaq nuk mjafton për ta vlerësuar cilësinë e studimeve të tij. Na duhen ta zëmë si punëdhënës edhe dy të dhëna të tjera. Së pari : Nota e tij ka qenë brenda një brezi që mësonte mirë, apo që kishte një përparim të dobët në mësime? Pra në duhet se cila ishte nota mesatare e grupit të tij si student apo nxënës. Pra, a ishte një tetë e fortë apo një tetë nga halli se nuk kishte më të mirë sesa ai. Së dyti : I sati renditej X,Y brenda grupit të bashkënxënësve apo bashkëstudentëve me atë tetën e tij? I pari, i pesti, i teti, i pesëdhjeti ? kjo do të na tregonte shumë për ecurinë e tij brenda një grupi. X,Y me notën mesatare tetë, por brenda një grupi ku nota mesatare është shtatë dhe ai renditet i dhjeti (ta zemë) për nga cilësia e notës, është tjetër gjë, kurse po X,Y, me notën mesatare tetë, por brenda një grupi me notë mesatare gjashtë, i renditur i pari, tregon se ai është vërtet i pari, por mes nxënësve apo studentëve të dobët.

Në këtë mënyrë nj

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›