E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: Kallëzim penal për Dakon, lejoi 7 kate të ndërtohen mbi pallatin 14-katësh



Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, është kallëzuar në prokurori, pasi ka lejuar shtimin e kateve të një pallati që nisi si 12-katësh në qendër të këtij qyteti, duke mundësuar që ai të ngrihet aktualisht deri në katin e 21-të. Abuzimi me këtë ndërtim mbi të gjitha veç shkeljes flagrante të ligjit, vë në rrezik jetën e banorëve të këtij pallati. Lajmi është bërë i ditur dje nga vetë ministri i Punëve, Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi. “Doja t’ju njoftoja që Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit ka depozituar në Prokurorinë e Rrethit Durrës, një kallëzim penal në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Durrësit, z. Vangjush Dako”, - ka bërë të ditur ministri Olldashi. Ai ka sqaruar se objekti i kallëzimit është një pallat, foton e të cilit e ka bërë publike, që ka 9 kate mbi lejen e ndërtimit. Ministri ka rrëfyer gjithë odisenë e këtij pallati. Sipas tij, pallati sot ka mbërritur në 21 kate, ndërkohë që leja fillestare e dhënë në vitin 2001, nga ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, z. Miri Hoti, ka qenë fillimisht për 12 kate, më pas me një shtesë mbi lejen në vitin 2003 janë akorduar dhe 2 kate të tjera, pra nga 12 kate ka vajtur në 14 kate. Ndërkohë ndërtuesi ka shtuar mbi 12 katet tashmë të shitura dhe ku banojnë familje me qytetarë edhe 7 kate. Ministri bëri me dije se për këtë pallat, Bashkia e Durrësit ka marrë një vendim prishjeje dhe e keqja është se ky vendim prishjeje nuk po ekzekutohet. “Kemi paraqitur sot kallëzimin penal për kryetarin e Bashkisë së Durrësit, për lejimin e një ndërtimi 7 kate mbi një pallat, gjë që e bën këtë pallat të rrezikshëm për banorët që jetojnë aty”, - theksoi ministri Olldashi. Ministri sqaroi se në analizën e ekspertëve të Inspektoratit Kombëtar Urbanistik ky pallat është me një rrezikshmëri shumë të lartë për jetën e banorëve që janë brenda tij. Ministri i kërkoi kryetarit të Bashkisë së Durrësit që të ndërhyjë menjëherë, duke qenë autoriteti i vetëm kompetent për të prishur këtë shtesë mbi këtë pallat, për realizimin e prishjes dhe për më tepër të ndërhyjë urgjentisht për evakuimin e banorëve që janë ditë-natë në mënyrë të pandërprerë në rrezik permanent. “E ritheksoj se situata në këtë ndërtesë është përtej çdo rreziku të imagjinueshëm. Ai nuk është më një pallat, por është një bombë me sahat e aktivizuar, që mund të pëlcasë nga momenti në moment dhe të shkaktojë viktima në banorët që janë në atë pallat. Ka muaj që duhet të ishte prishur, ka muaj që nuk po prishet dhe jo vetëm që nuk po prishet, por sikurse mund ta shihni nga fotografitë, këtu vazhdon ndërtimi për “shtatë palë qejfe”, dhe ky nuk është një ndërtim që është diku në periferi dhe nuk bie në sy. Është ndërtimi më i lartë në qytetin e Durrësit dhe është në kryqëzimin e dy rrugëve kryesore të këtij qyteti, atë të Bulevardit kryesor ose rrugës tregtare dhe rrugës “Skënderbej”, që është aksi kryesor i qytetit të Durrësit”, - tha ministri Olldashi. Sipas tij, është paraqitur pranë Prokurorisë së Durrësit kallëzimi penal për kryetarin e Bashkisë së Durrësit, z. Vangjush Dako.

“Vodafone Albania” mbështet koncertin “Duo Arcadia di Roma”

Dje më datë 10 dhjetor pranë sallës së Akademisë së Arteve në Tiranë, publiku artdashës ka mundur të ndjekë edicionin e radhës të sezonit koncertor ndërkombëtar “Klasik”. Me mbështetjen e fuqishme të Vodafone Albania, Institutit Italian të Kulturës dhe Akademisë së Arteve, “Duo Arcadia di Roma” ka sjellë në Tiranë violinisten Laura Bianco dhe violonçelistin Francesko Vinianeli. Laura Bianco ka zhvilluar një aktivitet intensiv koncertor, duke udhëtuar anembanë botës, ndërkohë që vazhdon të angazhohet me projekte të ndryshme në vendlindjen e saj, Romë. E mbushur me të tilla aktivitete është edhe karriera e violonçelistit Vinianeli, i cili aktualisht është edhe drejtor artistik i “Associazione Culturale Concerti dell’Arcadia” në Romë. Duo-ja e talentuar do të luajë pjesë nga Bach, Pleyel, Aeschbacher, si dhe mjaft pjesë të tjera të njohura klasike. Pas koncertit të ditës së enjte pranë Akademisë së Arteve, të premten datë 11 dhjetor “Duo Arcadia di Roma” do të performojë në “Konservatorin e Muzikës” në Vlorë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›