Kontrolli i MD- së në Korçë, procedim disiplinor për 12 prokurorë
Korçë- Ministria e Drejtësisë ka kërkuar procedim disiplinor për 12 prokurorë në Korçë, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar prej saj janë vënë re një sërë shkeljesh.
Sipas MD- së kontrollet kanë patur si objekt ecurinë e politikës penale e në veçanti e politikës së dënimit të ndjekur nga prokurorët përgjatë vitit 2011, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të subjekteve të procedimit penal dhe në veçanti të të ndaluarve dhe të arrestuarve, gjatë fazës së ekzekutimit të vendimeve penale, për periudhën 1-31 tetor 2011.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp Ministria e Drejtësisë njofton se gjatë kontrollit të ushtruar në inspektimin faktmbledhës dhe në faqen e gjykatave www.gjykata.gov.al, është vënë re se në 432 çështje penale, janë vënë re 39 shkelje proceduriale mbi qëndrimin e 12 prokurorëve.
Nga 10 procedime penale te inspektuara për të gjykuarit, me masë sigurimi arrest në burg, në fazën e ekzekutimit të vendimit penal, që përfshijnë veprimtarinë e 1 prokurori të ngarkuar me ekzekutimin e vendimeve për periudhën objekt kontrolli 1-31 Tetor 2011, kanë rezultuar me shkelje 5 prej tyre ose 50% te rasteve te kontrolluara. Sipas Raportit te Kontrollit dhe të dhënave zyrtare statistikore, për vitin 2011, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka dhënë vendim përfundimtar për 601 çështje penale, nga të cilat janë ankimuar 232 prej tyre. 46 vendime janë ankimuar nga prokurori dhe 203 janë ankimuar nga i pandehuri, ndersa 369 ose 62% e ceshtjeve nuk jane ankimuar as nga prokurori dhe as ngai pandehuri,- thuhet në deklaratë.
Më tej MD- ja sqaron se nga të dhënat e marra nga portali zyrtar i gjykatave për Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë rezulton se për vitin 2011, kjo gjykatë ka dhënë vendime fajësie për 541 çështje. Në 212 çështje (39%), Prokuroria ka kërkuar masa dënimi në minimumin e dënimit të parashikuar në dispozitat përkatëse penale. Nga 212 raste ku prokurori ka kërkuar minimumin e dënimit, në 141 raste (66%), gjykimi është zhvilluar me procedurë të shkurtuar.
Në 27 raste, këto minimume dënimi, janë shoqëruar edhe me kërkesën e prokurorit për aplikim të alternativave të dënimit me pezullim të ekzekutimit të dënimit me burgim sipas neneve 59 e 63 të K.Penal. Te gjitha keto ceshtje nuk jane ankimuar nga prokurori, duke e mbyllur ne shkallen e pare te gjykimit, me denime te kerkuara ne minumin dhe te ulura nen minimum per shkak te gjykimit te shkurtuar te pranuar nga te gjitha palet,- vijohet në deklaratë.
Pasi janë vënë re këto shkelje Ministria e Drejtësisë në bazë të ligjit Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme fillimin e procedimit disiplinor për 12 prokurorë.
Sipas saj veprimtaria e prokurorëve është konstatuar me shkelje të detyrës në ushtrimin e një politike të butë dënimi të orientuar drejt kufijve minimalë të dënimit, mungesë efektiviteti të përdorimit të mjetit të ankimit dhe mosrespektim të afateve ligjore në ekzekutimin e vendimeve.
/Kliti Topalli/IDEA/