E Diel, 1 Nëntor 2026

Klinton: Berisha, partner i ngushtë i SHBA-ve

26-04-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha është pritur dje zyrtarisht në Departamentin Amerikan të Shtetit nga sekretarja Hillary Clinton. Takimi, i cili zgjati më shumë sesa parashikimi, rreth 55 minuta, konfirmon aleancën e ngushtë mes qeverisë së zotit Berisha dhe qeverisë së presidentit Obama. Në fillim të takimit, sekretarja Klinton tha se është një nder të pres kryeministrin shqiptar në Departamentin e Shtetit
Hillari Klinton: “Me mikun Berisha, do diskutoj për çështje dypalëshe, por edhe ato rajonale e globale”
Berisha: “SHBA-të kanë luajtur një rol kryesor në të gjitha momentet më të vështira të historisë tonë”

Në kuadër të vizitës së tij në SHBA, kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, përpara nisjes së takimit, sekretarja Clinton theksoi se Shqipëria mbetet partnere e fortë e SHBA-ve, ndërsa vlerësoi si mjaft të mira marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Është një nder të mirëpres kryeministrin e Shqipërisë këtu në Departamentin e Shtetit. Kryeministri dhe vendi i tij kanë qenë partnerë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në NATO si pjesë e misionit tonë në Afganistan dhe ne kemi një marrëdhënie të gjerë e të thellë që e vlerësojmë maksimalisht. Mezi pres të diskutoj me kryeministrin Berisha për shumë çështje për të cilat ne po punojmë si në aspektin bilateral, rajonal dhe global. Zoti kryeministër mirëserdhët”, deklaroi Sekretarja Clinton.
Nga ana e tij, kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi Clinton si një mike të madhe të Shqipërisë dhe theksoi se do ta bindë atë të vizitojë Shqipërinë në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë.
“Jam shumë i lumtur dhe shumë mirënjohës që ndodhem këtu të takoj sekretaren Clinton. Ajo është një mike e madhe e vendit dhe e kombit tim. Unë po ju rrëfehem këtu. Një prej qëllimeve të këtij takimi është ti kërkoj asaj të vijë në Shqipëri në 100 vjetorin e Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol kryesor në të gjitha momentet më të vështira të historisë tonë. Kështu që çdo shqiptar do të jetë krenar dhe i lumtur për këtë vizitë të saj. Gjithashtu ne do të diskutojmë për shumë çështje të interesit tonë dypalësh. Shqipëria ka pasur një privilegjin e jashtëzakonshëm të mbështetet nga ky vend i madh, nga administrata e presidentit Obama, nga Sekretarja Clinton, në të gjitha përpjekjet e saj për të ndërtuar një demokraci të bazuar në lirinë e tregut. Faleminderit shumë”, deklaroi kryeministri Berisha.
Takimi i djeshëm Berisha-Clinton, është në kuadrin e takimeve që kryeministri i Shqipërisë do të zhvillojë në SHBA, gjatë vizitës së tij disaditore. Takimi ka zgjatur më shumë sesa ishte parashikuar, rreth 55 minuta dhe siç mësohet është karakterizuar nga fryma e partneritetit të ngushtë mes të dy qeverive e vendeve, i cili shtrihet në kohë. Rreth takimit, pritet që gjatë ditës së sotme të ketë edhe njoftime zyrtare shtypi.
Kryeministri Sali Berisha u nis dy ditë më parë, për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë qëndrimit, Kryeministri Berisha do të zhvillojë takime të nivelit të lartë edhe në Kongres në Washington DC, si dhe takime e aktivitete në Neë York. Kryeministri do të takohet me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, i cili është dhe njëkohësisht kreu i Kongresit të SHBA, John Boehner.
Gjithashtu, Kryeministri do të ketë në Ëashington DC, takime me personalitete të tjera si senatorja Jeanne Shaheen, Kryetare e Nënkomitetit për Çështjet Europiane, Richard Morningstar, i Dërguari i Posaçëm i Sekretares së Shtetit për Energjinë në Euroazi, etj.
Gjatë qëndrimit në SHBA, Kryeministri Berisha është i ftuar në ceremoninë e prezantimit të filmit dokumentar “Besa”, me producente Johanna Neumann, në Holocaust Memorial Museum, në Washington DC. Dokumentari i Neumann sjell historinë e jashtëzakonshme të mikpritjes, strehimit dhe mbrojtjes së një familjeje hebreje në Shqipëri dhe përmes saj, historinë e një kombi që hapi dyert e shpëtoi nga shfarosja qindra familjeje hebreje, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kryeministri Berisha do t’i drejtohet audiencës me një fjalë, si dhe do t’i akordojë Neumann çmimin e mirënjohjes.
Një moment të veçantë në axhendën e Kryeministrit është pjesëmarrja si i ftuar nderi në kremtimin e 100 vjetorit të themelimit të Federatës “VATRA”, në Neë York. Me këtë rast, do të zhvillohet konferenca shkencore “Federata Pan-shqiptare e Amerikës “VATRA, 100 Vjet në shërbim të kombit”, ku do të mbajnë kumtesa studiues e akademikë shqiptarë. Kryeministri Berisha do t’i drejtohet Konferencës me një fjalë.
Kryeministri Berisha, gjatë qëndrimit në Ëashington DC, do të vizitojë shtëpinë muze të Presidentit të 28-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbështetësit të madh të pavarësisë së Shqipërisë, Ëoodroë Ëilson.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›