Fakti/Turizmi shqiptar në rritje, në vitin 2011, 4 milionë turistë

Ministria e Kulturës reagon ndaj akuzave të kryesocialistit Rama në tryezën e dy ditëve më parë, duke i cilësuar ato si tentativa për të zhvlerësuar të dhënat për numrin e turistëve dhe vizitorëve. Sipas ministrit Bumçi, para vitit 2005 në Shqipëri nuk kishte zhvillim të industrisë së turizmit, kjo sipas vizitorëve, numri i të cilëve ishte 500 mijë, ndërsa vitin që shkoi ata ishin 4 milion e 1 mijë
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, deklaroi dje se turizmi shqiptar është zhvilluar ndjeshëm nga viti në vit dhe këtë e tregojnë shifrat e vizitorëve. Në një konferencë shtypi, ministri Bumçi replikoi ndaj deklaratave të kreut të opozitës, Edi Rama, në tryezën e PS-së për turizmin, duke bërë publike shifrat e turistëve vitet e fundit.
“Përpara vitit 2005 për shkak të numrit shumë të ulët të vizitorëve në Shqipëri nuk mund të flitej për një sektor të turizmit në ekonominë shqiptare. Sot për shkak të një rritje marramendëse të numrit të vizitorëve mund të flasim për një industri turizmi si një sektor që kontribuon në ekonominë vendase. Edi Rama kërkon të zhvlerësoje të dhënat për numrin e turistëve dhe vizitorëve, sepse në këtë mënyrë kthehet në një debat pa referenca, duke folur për mospërputhje të realitetit me shifrat zyrtare si dhe duke i krahasuar me të dhënat e të ardhurave nga turizmi të Bankës së Shqipërisë. Të dhënat për hyrjet (dhe daljet) e turistëve dhe vizitorëve në territorin e Shqipërisë merren nga sistemi TIMS, parakusht për liberalizimin e vizave, i cili ofron të dhëna të plota dhe të detajuara duke lejuar bërjen e analizave dhe ndërtimin e politikave. P.sh. sistemi ofron të dhëna të përgjithshme dhe të detajuara për fluksin e përgjithshëm të vizitorëve, dhe si ndryshon gjatë vitit, gjithashtu si qëndrojnë këto të dhëna për vende specifike, cilat janë pikat kufitare që përdoren më shumë, sa vizitorë qëndrojnë disa ditë, sa janë turistë ditorë, cilat grup-mosha vizitojnë vendin etj. Të dhënat e vizitorëve që vijnë në vendin tonë janë lehtësisht të verifikueshme dhe të plota”, u shpreh Bumçi.
Në lidhje me të dhënat ekonomike të Bankës së Shqipërisë, Bumçi tha se shumë shtëpi apo hotele nuk derdhin të ardhura, që do të thotë se kemi informalitet dhe se vlerësimi i të ardhurave është shumë herë më i ulët se të ardhurat aktuale.
“Por, ne ende nuk jemi në një promovim të fuqishëm, pasi duhet të përgatisim vendin, pastaj të promovojmë fuqishëm”, tha Bumçi, duke shtuar se imazhi i mirë për vendin, Rruga e Kombit, janë disa nga faktorët e rritjes së numrit të turistëve.
Në lidhje me të dhënat për turizmin malor dhe faktin se turizmi shqiptar duhet të shpërndahet gjatë gjithë vitit, Bumçi tha se në periudhën mars, prill, maj 2011 numri i turistëve ka qenë 397.000 vetëm të huaj dhe në muajt shtator-tetor-nëntor 473.000 turistë. “Nëse brenda një viti, në pranverë dhe në vjeshtë, kemi një rritje me 42 për qind dhe 24 për qind, ky është një tregues që turizmi nuk përqendrohet vetëm në periudhën qershor-gusht”, tha Bumçi.
“Këto të dhëna tregojnë qartë për një rritje të ndjeshme, mund të themi mbresëlënëse të numrit të vizitorëve të huaj në Shqipëri. Krahasimi që Edi Rama bën me të ardhurat çalon në dy drejtime. E para, një fakt i mirënjohur nga të gjithë pushuesit është informaliteti në njësitë akomoduese: shumica dërrmuese e shtëpive që jepen me qera, si dhe njësive të vogla akomoduese nuk janë të regjistruara si rrjedhim nuk regjistrojnë të ardhura. Edi Rama pranon që Thethi ka pritur me mijëra pushues, por sa prej tyre janë regjistruar?! Pikërisht për këtë arsye Banka e Shqipërisë dhe INSTAT-i kanë ngritur një grup pune për të përmirësuar përllogaritjet e të ardhurave nga turizmi. E dyta, siç ka ndodhur dhe në vende të tjera kriza ekonomike botërore ndikon ne shpenzimet e pushuesve por kjo nuk rrezon numrat e pushuesve”, tha më tej ministri i Turizmit, Aldo Bumçi.
MTKRS këtë vit, që është edhe 100-vjetori i Pavarësisë, do të përqendrohet në promovimin e imazhit të vendit për të tërhequr më shumë turistë. Gjithashtu vendi do të marrë pjesë në shumë panaire dhe do të shtojë turret, duke përmendur këtu 185 operatorët polakë që vizituan vendin pak kohë më parë.
Të dhënat e vizitorëve
4 001 000 vizitorë dhe turistë gjatë vitit 2011
3 498 000 vizitorë dhe turistë gjatë vitit 2010
3 050 828 vizitorë dhe turistë gjatë vitit 2009
Vizitorë dhe turistë nga Kosova
1 271 118 vizitorë dhe turistë gjatë vitit 2011
1 179 327 vizitorë dhe turistë gjatë vitit 2010
674 214 vizitorë dhe turistë gjatë vitit 2009
Në vitin 2011 kanë hyrë:
77 451 shtetas gjermanë, 39 për qind më shumë se në 2010-ën dhe 64 për qind më shumë se në 2009-ën kur kanë hyrë 47 240.
76 604 shtetas angleze, 23 për qind më shumë se në 2010-ën dhe 35 për qind më shumë se në 2009-ën kur kanë hyrë 56 734.
30 620 shtetas francez ose 19 për qind më shumë se në 2010 dhe 58 për qind më shume se në 2009 kur kanë hyrë 19 342.
151 256 shtetas grek, 34 për qind më shumë se në 2010 dhe 53 për qind më shumë se në 2009 kur kanë hyrë 98 919.
Plani i Promovimit të turizmit shqiptar
Pjesëmarrje në panaire gjatë viteve të fundit
Pjesëmarrja në panairet e turizmit ka ardhur gjithnjë e në rritje: Marrim pjesë në panairet më të rëndësishme ndërkombëtare për turizmin në Londër, Berlin, Milano,
Pjesëmarrje në panaire të tjera ndërkombëtare për turizmin në Poloni, Çeki, Danimarkë, Finlandë, Hollandë, Maqedoni, Kroaci, Bari
Pjesëmarrje për herë të parë në panaire ndërkombëtare për turizmin në Izrael, Vatikan, Bosnjë – Hercegovinë.
Pjesëmarrje në panairet për kapingun dhe transportin turistik në Esen, Këln dhe Dyseldorf, Gjermani
Ture informuese me Operatorë Turistikë dhe përfaqësues të mediave të huaja nga vende të ndryshme si: Japoni, Rusi, Poloni, Hungari, Gjermani, Bosnje – Hercegovinë, Kroaci, Maqedoni.
Është zhvilluar një fushatë e gjerë promocioni për sektorin e turizmit përmes Spoteve promocionale.
Për herë të parë spoti promocional “Pasioni shqiptar”, në Qershor - Gusht në vitin 2007;
Spotet në rrjetet ndërkombëtare televizive në CNN dhe EURONEËS.
Spoti rajonal “ Shqipëria ime” transmetuar në Prishtinë dhe Shkup dhe kombëtar transmetuar në rrjetet mediatike kombëtare: Top Channel, TVSH, TV Klan.
Spoti promocional i transmetuar në vende të ndryshme të Europës si: Çeki, Hungari, Bosnje - Hercegovinë dhe Serbi
Spoti i 40 haneve
Botimet promocionale.
Materialet promocionale janë ripunuar e pasuruar nga viti në vit me informacione e broshura të reja në anglisht, japonisht dhe gjermanisht
Albania Guide Turistike
11 itineraret kulturore dhe natyrore
10 turet e mëdha të Shqipërisë
40 hanet e Shqipërisë