E Shtunë, 31 Tetor 2026

Racizmi trondit Greqinë

Distrikti i Shën Panteleimonit u bë fundjavën e kaluar arenë e përleshjes midis forcave policore dhe ekstremistëve ultra të djathtë, që arritën të anulojnë një manifestim solidariteti ndaj emigrantëve. Nga Express më 19 janar 2011 në ora 10:44

Drejtësia duhet të vendosë se ç’do të bëjë me pjesëtarët e arrestuar për herë të parë të organizatës raciste "Agimi i Artë", gjatë incidenteve të shënuara të shtunën në darkë në sheshin Shën Panteleimoni, ku ishte paralajmëruar të mbahej një koncert në shenjë solidariteti ndaj emigrantëve. Koncerti ishte një nismë e organizatave anti-raciste greke, por edhe shoqatave të shumta të emigrantëve, kryesisht afrikano-aziatikë, pas mitingut të mbajtur në sheshin para Universitetit të Athinës nga organizatat anti-raciste greke edhe shoqatat e emigrantëve, por edhe nëpunës shtetërorë, në shenjë proteste kundër politikave të ushtruara ndaj emigrantëve.

Forcat ekstreme të djathta, por edhe qytetarë të revoltuar, siç prezantohen, duke dashur të diferencohen nga organizata raciste Agimi i Artë, pushtuan që në mëngjes sheshin për të penguar mbajtjen e koncertit dhe e kthyen në arenë përleshjesh me forcat policore që ndërhynë për t’i shpërndarë. Atmosfera u elektrizua se tepërmi dhe policia e vënë në ndjekje të ekstremistëve nuk nguroi të hyjë edhe brenda në kishë, kur mbahej mesha, duke përdorur edhe gazin lotsjellës, gjë që ndodh për herë të parë dhe me të drejtë tronditi opinionin.

"Disa deshën të organizojnë një aktivitet kundër dëshirës së qytetarëve", deklaroi Nikos Mihalolakos, kreu i organizatës Agimi i Artë, i cili po shfrytëzon më së miri revoltën e banorëve të zonës për shkak të përqendrimit të madh të klandestinëve afrikano-aziatikë dhe me votat e tyre arriti të zgjidhet edhe këshilltar bashkiak në zgjedhjet vendore të nëntorit të kaluar.

Gjendja është e tillë që nuk mohohet as nga zërat më të arsyeshëm të banorëve të zonës si Kostas Kotronis, emigrant edhe vetë në Amerikë në vitet 80-ta. "Në një hapësirë shumë të vogël ka 2.500 të droguar, 3.000 vajza me ngjyrë që shesin trupin e tyre, 5.000 të pastrehë, pothuajse 3.000 vetë që jetojnë në kushte të vështira, që mua si grek më vjen turp për këtë mjerim", thotë banori i zonës Kostas Kotronis, i cili për dallim nga fqinjët e tij të tjerë të revoltuar, thotë se "duhet t’i qëndrojmë në krahë shtetit që të zgjidhet problemi dhe që këta njerëz të jetojnë në kushte njerëzore".

Por, zëra të tillë nuk gjejnë jehonën e duhur ashtu si edhe koncerti simbolik, i ndjekur nga vetë presidenti grek Papulias, për bashkëjetesën me të huajt, i cili u organizua para një muaji po në kishën e Shën Panteleimonit, si nismë e përbashkët e kryepeshkopit Ieronimos dhe Pallatit të Muzikës. "Ne realizuam një miting të madh që përcolli porosinë se nuk duam”, theksoi përfaqësuesi i organizatës ANDARSIA, i cili gjithsesi e shikon të izoluar "pakicën raciste" të Agimit të Artë dhe kritikon policinë që anuloi më në fund mbajtjen e koncertit nga frika e incidenteve.
Por, çfarë po ndodh përtej Shën Panteleimonit me vetë shoqërinë greke dhe sa i mundshëm është një radikalizim i saj kundër emigrantëve?

"Është një gjendje shumë e vështirë se vë përballë një pjesë të varfër të shoqërisë kundër një pjese më të varfër të shoqërisë, që janë emigrantët. Në vend që të shohin si kundërshtare politikat qeveritare që u reduktojnë pagat dhe të drejtat sociale, shohin si fajtorë dhe viktimizojnë lehtë emigrantët, që janë akoma më të pambrojtur dhe të varfër se ata. Kjo krijon një polarizim të madh në shoqërinë greke dhe zgjon reflekset konservatore, duke u dhënë mundësinë pikëpamjeve raciste dhe fashiste që të gjejnë terren të begatë në shoqërinë greke të sprovuar nga kriza", tha sekretari politik i partisë së majtë Sinaspismos, Dhimitris Stratulis.

Politikani i majtë grek nuk e mohon "geton" në qendër të Athinës, por e sheh si pasojë të boshllëkut të krijuar nga mungesa e shtetit dhe politikave jo efikase të menaxhimit të emigracionit.

Por, cila është zgjidhja për një problem të mahisur me rreth 1 milion klandestinë, kufijtë pothuajse të pambrojtur dhe një politikë emigracioni të mangët? "Shikoni, emigrimi është një problem evropian dhe duhet të jepen zgjidhje evropiane. Jo me gardhe", thotë Dhmitris Stratulis dhe përmend tri masa: Rishikimin e Marrëveshjes së Dublinit që nuk i lejon Greqisë të pajisë klandestinët me dokumente udhëtimi nëpër Evropë, ku edhe duan të shkojnë; së dyti, dhënien e azilit politik emigrantëve të ardhur nga zona të luftës dhe së treti ndihmën ndaj vendeve të tyre, me qëllim që të mbeten aty dhe të mos emigrojnë nëpër Evropë. Por, deri atëherë shoqëria greke ftohet të kalojë një sprovë të vështirë për vlerat dhe humanizmin e saj. (DW)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›