E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërheqja (e munguar) e investimeve

 

Pak ditë më parë, kryeministri hungarez, Ferenc Gurçani-- të cilit rreth 1 vit më parë i kërcënohej pushteti për shkak të një mashtrimi publik që provokoi një valë protestash-- deklaroi për mediat se ishte arritur një marrëveshje paraprake me Daimler-Mercedez për ngritjen e një planti ku do investoheshin 800 milionë euro, çka e bënte investimin më të madh në historinë e këtij vendi. Hungaria në fakt qe në garë të fortë me Poloninë dhe Rumaninë për t`u zgjedhur nga ana e gjigantit botëror të prodhimit të automobilave, madje shihej si inferiore përsa i përket kostos së fuqisë punëtore që është më e lartë në Hungari apo nivelit të taksave që është gjithashtu më i lartë. Por ajo që i bëri investitorët të shihnin me përparësi këtë vend, ishte sidomos infrastruktura e shkëlqyer dhe e lidhur mjaft mirë me qendrat urbane dhe tregjet, si dhe një forcë punëtore e kualifikuar.

Rreth një dekadë më parë, Hungaria ishte në një garë tjetër të kësaj natyre, asokohe me Sllovakinë, por edhe Poloninë për të fituar të drejtën e vendit ku do ndërtohej një fabrikë prodhimi e Hundayt, gjigantit koreano-jugor. Por atëherë e humbën garën përballë fqinjit sllovak, i cili ishte dhe shteti më i suksesshëm në tërheqjen e gjigantëve industrialë për kohën dhe ku krahas rastit të sipërpërmendur, spikasnin edhe fabrikat e “Volvsvagenit” apo “Audit” që ofronin paga pothuajse sa dyfishi i mesatares që ofrohej për buxhetorët dhe kushte të tjera pune mjaft kompetitive. Sllovakët arritën të ishin më të suksesshëm në sajë të ofrimit të incentivave shtesë që ofruan për investuesit e huaj, të cilat nuk fillonin dhe mbaronin vetëm te lehtësirat fiskale apo ligjore, por përfshinin edhe kontributin direkt të shtetit në përballimin e një pjese të kostos së investimit.

Hapja e vendeve të punës që projektohet nga këta gjigantë të industrisë së makinave, por edhe industrive dhe firmave të ndryshme teknologjike që e shohin me interes këtë treg, është një nga faktorët kryesorë që vlerësohet te këta investitorë, të cilët pjesën më të madhe të prodhimit e kanë të destinuar për eksport. Disa nga përparësitë që këto vende të Evropës Qendrore kanë, janë një forcë punëtore e kualifikuar, infrastrukturë të zhvilluar dhe afërsi me tregjet, si dhe një treg në formim e sipër që duke e kthyer një pjesë të mirë të popullsisë edhe në konsumatore të këtyre produkteve që njëherë e një kohë destinoheshin vetëm për eksport, ka rritur atraksionin e tyre në sytë e investitorëve të fuqishëm perëndimorë dhe aziatikë. Kurse përsa i përket dobësive, mund të vihet re fakti që duke qenë tashmë vende të BE-së, iu duhet të zbatojnë disa nga limitet komunitare dhe këto përfshijnë edhe ofertat ‘tavan’ që mund t`u ofrojnë këtyre investitorëve për të respektuar normat e kompeticionit evropian.

Natyrisht, vende ende të paintegruara në familjen evropiane, si vendi ynë, mund të përfitojnë nga këto lehtësi që të sjell fakti që ende nuk bën pjesë në këtë komunitet dhe për rrjedhojë, paradoksalisht je i përjashtuar edhe nga obligimet që rrisin kostot e transaksioneve dhe shtojnë barrën e investitorëve të huaj, duke lënë njëkohësisht mjaft vend për manovrim në përpjekjet për të ofruar kapitalin e huaj. Në kushtet e sotme, nuk mjafton thjesht të vendosësh taksën e sheshtë (të quajtur ndryshe edhe taksë ‘parazitare’ për shkak të mungesës së përpjekjeve të vërtetapër reformë fiskale nga ana e qeverisë), apo të deklarosh në mënyrë demagogjike që nisma të tilla si “Shqipëria një euro” apo “One Stop Shop” janë çelësa magjikë që do hapin portat e Sesamit, prej nga ku do vërshoj investimi i huaj direkt (FDI në anglisht). Përkundrazi, nëse nisma të tilla nuk shoqërohen me reforma të thella administrative, lehtësim real të kushteve për investimin e huaj (duke përfshirë natyrisht atë të diasporës e cila duhet të ketë kushte të privilegjuara), thjeshtësim të kuadrit ligjor në mënyrë që investitori i huaj të ketë sa më pak të bëjë me burokratët shpesh të korruptuar e kështu me radhë, nuk ka për të patur ndonjë bum në investime as në vitet që do pasojnë, por përkundrazi, edhe këta që kanë investuar, mund të ngrihen dhe t`ua mbathin këmbëve.

Dhe së fundmi, mungesa e stabilitetit politik, lufta reale (dhe e munguar) ndaj ‘state capture’ dhe korrupsionit që nuk është se Brukseli i ka kthyer ashtu kot në refren të vetin kur vjen puna te marrëdhëniet me qeverinë shqiptare. Përkundrazi, sinjalet dhe sondazhet nuk reflektojnë ndonjë ulje trendi në këtë drejtim, çka bën që jo vetëm të ngelemi në mënyrë të përsëritur në klasë dhe ta shtyjmë në infinit procesin e anëtarësimit në BE apo të kthehemi në vendin e fundit në Ballkan që do përfitojë nga lehtësimi i vizave, por që edhe e frenojnë investitorin e huaj si reklama më e keqe që mund t`i bëhet vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›